2 korrik 2015 – Jozefina Topalli i ka bërë të qartë kreut të Partisë Demokratike se do të jetë ai që do të mbajnë përgjegjësi për zgjedhjet.
Gjatë diskutimit me dyer të mbyllura në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Topalli i ka kërkuar Bashës që duke nisur nga kryetarët e degëve deri tek zyrtarët më të lartë, secili duhet të mbajë përgjegjësinë që i takon për rezultatin e 21 qershorit, raporton “Panorama”.
Basha ka shmangur debatin me ish-kryetaren e Kuvendit duke i kujtuar asaj se betejën e kanë me kundërshtarin dhe jo me njëri-tjetrin. Kreu i PD-së është shprehur se do të ketë analizë për humbjen por ka kërkuar që të mos ketë “fajtorë”.
Debati
Jozefina Topalli: Zoti kryetar kam një vërejtje. Dua që t’u kërkoni kryetarëve të degëve që të mos mbajnë qëndrime të tilla. Ata janë persona që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë në rezultatet që Partia Demokratike ka arritur në këto zgjedhje, pasi janë ata që duhet të organizojnë strukturat. Kërkoj që secili prej tyre të mbajë përgjegjësi për ato që thotë dhe shkruan.
Lulzim Basha: Zonja Topalli, jemi mbledhur për të bërë analizën e zgjedhjeve dhe për të përcaktuar axhendën për seancën që do të kemi nesër në Parlament. Në këtë situatë dua t’ju kujtoj një shprehje të Presidentit amerikan Regan, që thoshte “Betejën e kemi me kundërshtarët dhe jo me veten”, ndaj në këto muaj në vazhdim dua që të gjithë bashkë të bëjmë analizën e humbjes dhe jo t’i drejtojmë gishtin njëri-tjetrit.
Jozefina Topalli: Unë kërkoj që qëndrimi që do të mbajmë, të jetë institucional. T’i je kryetari i Partisë, mund të mbash një qëndrim zyrtar dhe institucional njësoj siç mbajte sot për situatën e zgjedhjeve. Nuk ka nevojë për zëra periferikë të kryetarëve të degëve që vijnë dhe hedhin akuza. Jeni ju ai që do të ndani përgjegjësitë për zgjedhjet. Gjithsecili pastaj duhet të mbajë përgjegjësi personale për atë që ndodhi dhe kur e them këtë e nis nga vetja në fillim. Unë e kam paralajmëruar prej kohësh situatën me të cilën po hynim në zgjedhje, ajo nuk ishte e panjohur, prandaj them që duhet të mbajmë përgjegjësi.
Mhill Fufi: Një pyetje kam për ju zonja Topalli. Po ju mbani përgjegjësi që çuat në KQZ, Lefterinë? Ajo tani është bërë me maxhorancën dhe mban krahun e tyre kush mund të përgjigjet për këtë situatë?
Lulzim Basha: Nuk është ky objekti i diskutimit për të cilin jemi mbledhur sot. Jua thashë edhe një herë që ka nevojë për një analizë, nga e cila të nxjerrim përgjegjësitë e gjithsecilit. Të gjithë deputetët e deleguar në të gjithë vendin së bashku me kryetarët e degëve do të mbledhin faktet për gjithë parregullsitë që shoqëruan procesin zgjedhor. Këto fakte do të diskutohen këtu në seli mes nesh dhe më pas do të dalim në bazë për të ndarë me strukturat përgjegjësitë dhe gabimet e gjithsecilit. Dua që gjatë këtyre kohëve të bëhet analiza e çdo kutie dhe të çdo vote.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/