30 qershor 2015 – Pas dënimit me burgim të përjetshëm për Arben Frrokun, i cili akuzohet për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, nuk ka munguar dhe një reagim i ish-kryeministrit Berisha për këtë çështje.
Duke akuzuar Edi Ramën dhe gjykatësit që i dhanë pafajësinë herën e parë Frrokut, Berisha shkruan në faqen e tij në Facebook se Arben Frroku është arratisur për në Kubë, vetëm dy ditë pasi është marrë me blerjen e votave në Pukë, që sipas Berishës ishte porositur nga Rama.
“I dhanë pafajësinë për vota vrasësit të komisarit Lame. Arben Frroku, pas përmbushjes së misionit, arratiset për në Kubë! Apeli sot e dënoi me burg përjetë!
Të dashur miq, Edi Rama me gjykatësit e Partisë i dha pafajësinë vrasësit të komisarit Lame, Arben Frrokut dhe i ngarkoi blerjen e votave me paratë e krimit në rrethin e Pukës. Dy ditë para zgjedhjeve, pasi kreu misionin, Rama e nisi atë për në Kubë. Në arrati e sipër Arben Frroku u ndalua nga policia në kufirin midis Malit të Zi dhe Kroacisë, por pasi Sajmir Shullazi i konfirmoi pafajësinë, Frroku vazhdoi i qetë rrugën për në ishullin e Karaibeve.
Sot Gjykata e Apelit i njoftoi në mungesë dënimin përjetë për vrasjen e Komisarit Lame.
Kjo ishte një lojë e Edi Ramës me kriminelë, vrasës si Arben Frroku duke ekzekutuar për së dyti në detyrë komisarin Dritan Lame!”, ka shkruar dje Berisha.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/