Aldi Mustafa, Uran Zyka dhe Tahir Gjinika, tre të arrestuarit të cilët dyshohen si vrarës me pagesë, nuk kanë dhënë asnjë detaj për policinë e Durrësit, se kush ishte shënjestra e atentatit të planifikuar.

Gjatë marrjes në pyetje ata kanë heshtur, duke refuzuar të japin dhe emrin e personit që mund të ketë porositur atentatin, raporton TvKlan.

Megjithatë hetuesit janë duke u përpjekur të gjejnë të dhëna që mund t’i ndihmonin, në dy laptopët dhe 9 telefonat celularë të cilat u sekuestruan. Hapja e tyre pritet me interes nga grupi hetimor, të cilët janë në pritje të urdhrit të prokurorisë për vijimin e procedurave.

Një ditë pas ngjarjes policia e Durrësit është duke verifikuar në laboratorin e kriminalistikës armët e zjarrit të cilat iu gjetën tre të arrestuarve. Kjo për të zbuluar nëse armët janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale, çka mund të sillte dhe zbardhjen e ngjarjeve të mëparshme.

Blutë e Durrësit gjithashtu po hetojnë nëse kanë persona të tjerë bashkëpunëtor që do i ndihmonte për t’u larguar pas atentatit.

Forcat e policisë u vunë në ndjekje të tyre në lagjen numër 15 në Durrës, ku me ta kuptuar, shoferi ka tentuar të largohet duke goditur dhe automjetin e uniformave blu dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion.

Plani i tyre për arratisje mbeti vetëm në tentativë, pasi u bllokuan nga makina dhe shërbime të tjera të Policisë. Deri më tani ndaj 3 të arrestuarve janë ngritur akuzat e armëmbajtjes pa leje.