Në sezonin e ri televiziv, Lei Kraja nuk do të jetë më pjesë e “Euronews”.
Ditën e djeshme, moderatorja zbuloi se po përgatitet për një projekt të ri në “Radio Televizionin Shqiptar”.
Ajo publikoi në llogarinë e saj në Instagram një foto, në të cilën shfaqej e veshur me jeshile, e grimuar dhe me flokë me onde. Krahas saj, Lei shkroi “projekt i ri” dhe etiketoi pikërisht “RTSH-në”.
Ndërkohë, Iva Tiço, ka publikuar promon e emisionit të Fjodora Fjorës, në të cilin shihet edhe Lei Kraja, duke konfirmuar kështu pjesëmarrjen e saj. Emisioni, i cili titullohet “Ditë pas Dite” do të transmetohet nga e hëna në të premte në “RTSH”, duke nisur që nga gjashtë shtatori.
“Dola për një kafe me Fjodora Fjorën dhe e gjeta veten kryeredaktore në emision të përditshëm. Nuk kishte si t’i thoja jo projektit të saj, sepse më përfshin në punën që dua më shumë: gazetarinë.
Ne këtë emision nuk jam e ulur në studio (vetëm në raste të veçanta që do më dojë Fjodora dhe të tjerët), por do jenë çdo ditë të përhershëm bashkë me të një super ekip: Mariza Ikonomi, Lei Kraja, Santana Comora, Klajd Gorica dhe çuna e goca, gazetarë me pasion për të cilët jam e bindur që do dëgjoni shumë.
Dhe sigurisht çdo ditë të ftuar, emra të njohur e të rinj, profesionistë të mirë, njerëz që kanë ç’të thonë e të tregojnë… shkurt, mezi po pres të ndajmë së bashku pasditet në “Ditë pas dite” në RTSH1 HD”.
Nuk dihet nëse Lei do të zëvendësojë edhe Hygerta Sakon, e cila nuk do të jetë pjesë e ekranit këtë sezon.
Kjo sepse, “Panorama Plus” zbuloi pak javë më parë se Hygerta do të jetë një nga personazhet që do të marrë pjesë në “Big Brother VIP”, i cili do të nisë transmetimin në muajin tetor.