Nga Gëzim KABASHI
Dashnor Hoxha ishte vetëm 17 vjeç, kur në portën e ndërmarrjes së Gomës në Durrës ku punonte, u shfaqën dy instrumentistët e njohur të “Vollgës”, lokalit historik të qytetit bregdetar.
Fizarmoniçisti Rifat Dedja dhe pianisti Rexhep Zëmblaku, e njoftuan djaloshin se do të fillonte punë përkrah tyre si saksofonist.
Ishte fillimi i një udhëtimi 25-vjeçar, gjatë të cilit Dashi vlerësonte njëlloj si koncertet sinfonike ku luante në klarinetë, ashtu edhe shfaqjet e ansambleve amatore të ndërmarrjeve ku punoi gjatë karierës së tij tepër të veçantë.
Shumë shpejt “Dashi i vogël”, siç e thirrën për shumë vite adhuruesit e tij do të bëhej instrumentisti më i kërkuar i formacioneve muzikore të të gjitha llojeve.
Nga orkestrina e Estradës së Durrësit deri te Orkestra Sinfonike e RTSH, në mes renditen pjesmarrje dhe suksese të tjera në vitet 1970-1980: orkestra e Estradës, Orkestra Sinfonike e Banda Frymore e Durrësit; ajo e Ansamblit dhe Estradës së Ushtrisë, e mbi të gjitha “Big Bandi” i Festivaleve të Këngës, formacioni i fillimviteve ’70 që drejtohej nga Gaspër Çurçija.
Tashmë që për të kanë trokitur 70 vjetët, Dash Hoxha kujton hollësisht gjithçka: njerëzit që e drejtuan në rrugën e bukur të instrumentave, familjarët e tij, punën e palodhur dhe miqësitë me kolegët në të gjitha formacionet ku ka zënë vend me shumë dinjitet, kënaqësitë e shumta që ka marrë nga profesioni, e mbi të gjitha dashurinë që si një Dashnor i vërtetë vazhdon ti falë saksofonit dhe klarinetës, instrumentave që e shoqëruan gjithë jetën.
Adoleshenti i 7 orkestrinave
Sapo kishte mbushur 12 vjetët, kur bashkë me dy shokë më të rritur i drejtohen si për lojë Shtëpisë së Pionerit.
“Drejtuesi i seksionit të muzikës, Nazmi Mici i çoi shokët e mij në kursin e trompës, ndërsa mua më dërgoi në atë të klarinetës – kujton Dashi tani që kanë kaluar thuajse 6 dekada. Nuk më pëlqeu fare, por vëllai më i madh, Bajrami, insistoi që duhet të kthehesha në kurs dhe më kujtoi klarinetistin amerikan Beny Godman, të cilin ai e dëgjonte në radio”.
Djaloshi me trup të imët dallohet shumë shpejt mes bashkëmoshatarëve. Ishte adoleshent, dhe aspironte të shkollohej sa më mirë, kur i hapin vend në Bandën Frymore të qytetit, që drejtohej nga kompozitori Enver Mara.
Dashin nuk e pranojnë në Liceun Artistik të Tiranës për shkak të një kleçke në biografi.
Ai fillon shkollën e mesme me rezultate shumë të mira, por dashuria për klarinetën dhe interesimi i miqve instrumentistë e përfshijnë atë si punëtor dhe artist në ansamblin e Ndërmarrjes së Gomës.
Tamam në këtë kohë mbërrin oferta e parë serioze për orkestrinën e sallës dhe lulishtes në hotel “Vollga”.
“Duhet të zëvëndësoja mjeshtrin Valentin Rubin, profesorin tim, që durrsakët e njihnin si “rusi i bardhë” – i kthehet Dash Hoxha bisedës dhe kujtimeve për Durrësin.
“Më dukej e pabesueshme, më vinte zor të ulesha në të njejtin vend nga ku mbërrinin tingujt hyjnorë të mjeshtër Valentinit– kujton Dashi, tashmë 70-vjeçar.
“Vollga”, e më pas pista e Plazhit në hotel “Adriatiku” dhe “Kruja” në atë kohë konsideroheshin vendet ku luhej muzikë shumë e mirë, veçanërisht e huaj italiane dhe angleze.
Një vit më vonë saksofonisti i ri bëhet pjesë e Orkestrës së Estradës në Durrës.
Nga Ansambli i Ushtrisë në “Big Band”-in e Festivaleve
Djaloshi që nuk kishte mbushur ende 20 vjeç po përjetonte kënaqësinë që i jepte interpretimi përballë publikut në vendet më të bukura të qytetit bregdetar.
“Dashi i vogël” tashmë ka admiruesit e tij, që vijnë për ta ndjekur jo vetëm nga Durrësi, por edhe nga kryeqyteti.
Pikërisht në kulmin e kësaj përvoje rinore dhe profesionale njëkohësisht, durrsaku i bashkohet Ansamblit të Ushtrisë.
“I kam marrë gjithmonë vetë vendimet dhe nuk preferova të qëndroja ushtar në Durrës, afër shtëpisë” – kujton Dashi.
Tirana e tërhiqte “Dashin e Durrësit”, siç e thirrën më pas, për dy arsye: sfida profesionale bashkë me jetën e kryeqytetit, por mbi të gjitha do të ishte më afër shkollës së lartë artistike, të cilën vazhdonte ta kishte synimin kryesor.
Nuk ishte gabuar.
Qindra koncerte në reparte të shumta ushtarake me Ansamblin dhe Estradën e Ushtrisë e njohin me Selim Ishmakun, apo me fizarmoniçistin Rudolf Çamuku, e po ashtu me aktorët Zef Deda dhe Arben Shaka.
Ishte ende ushtar, kur Gaspër Çurçia e fton të jetë në pultin e saksofonëve të “Big Band”-it, siç filloi të thirrej formacioni me instrumenta fryme që brenda pak muajsh fitoi një famë të pakthyeshme në vendin tonë.
“Gaci ishte muzikant gjenial, tepër i talentuar, shumë serioz në punë, por mbi të gjitha ishte njeri dhe shok shumë i mirë”.
Kështu e përkufizon Dashi drejtuesin e Bendit, duke i kujtuar aftësitë e tij me fjalët: “Çfarë i shihte syri, i bënte mendja dhe dora”.
Pesë saksofonë e katër trompa renditeshin njëri mbi tjetrin në podiumet e “Big Band”-it, që interpretonte partiturat e orkestruara nga Gjon Simoni dhe më pas nga Aleksandër Lalo.
“Ishte Festivali i 10 i Këngës në RTSH dhe unë isha me fat që isha aty. Ishte një mrekulli, që për fat të keq vazhdoi vetëm dy vjet dhe u ndërpre në mes – shprehet Dashi i Durrësit.
Djaloshin e ulin në vendin e parë si saks tenor dhe ende sot ai e tregon me shumë emocion reagimin dashamirës të kolegëve të tij, Platon Mezinit e të tjerëve.
“Festivali i 11-të erdhi natyrshëm me bukurinë e vet – kujton saksofonisti i Big Band-it.
“Kujtoj një improvizim solo në këngën e “Vajza e fshatit tim” më duket. Gjatë provave, kur mbaroi këngëtari Dorian Nini të gjithë kthyem kokën nga autori Çesk Zadeja, personalitet i madh i muzikës sonë”.
Dashi kujton mjeshtrin Zadeja, i cili pyeti me humor: Kjo ishte kënga ime? E më pas: Nuk ma merrte mendja të kisha bërë një këngë kaq të bukur!
Pasojat e qëndrimit politik të udhëheqjes shqiptare për Festivalin e 11-të nuk i vuajtën vetëm artistët.
“Big Band”-i u fshi nga lista e formacioneve muzikore, ndërsa saksofoni u shpall “i padëshërueshëm” në orkestrat e mëdha.
“Nga 1974 deri në 1986 saksofoni u lejua vetëm në formacionet e vogla muzikore – tregon Dashi, i cili u rikthye përsëri në orkestrën e Estradës së Durrësit.
Por mbi të gjitha rifilloi edhe një herë studimet, të cilat i kishte ndërprerë pas përfundimit të mësimeve në Liceun artistik, që kreu pa ndërprerje nga puna.
Në Institutin e Lartë të Arteve ndalet veçmas te bazat teorike të klarinetës, duke plotësuar gjithçka që nuk kishte mundur ta bënte më parë dhe duke fituar vlerësimin e pedagogëve me emër, duke nisur nga shefi i katedrës Ibrahim Madhi.
“Edhe kur luaj muzikë të lehtë, e kuptoj vlerën e mësimeve që kam marrë në Institut (sot Universiteti i Arteve) – thotë Dash Hoxha, duke kujtuar më pas edhe solot që i kanë besuar në orkestrat e mëdha, si te “Sinfonia e pambaruar” e Shubertit “një pjesë e bukur e mjaft delikate”.
Megjithatë Dash Hoxha mbetet instrumentisti i muzikës “evergreen”. Po xhazi? “Xhazi nuk është thjesht muzikë – përgjigjet Dashi. Xhazi është mënyrë të mënduari, mënyrë të jetuari dhe të konceptuari”.
Shekulli i XX nuk ka mbaruar dhe Dashi luan kudo që e ftojnë e kudo që i jepet rasti. Ulet brenda ditës në 2-3 formacione. Jeton intensivisht, mes shokësh dhe miqsh që e duan, e respektojnë dhe vlerësojnë muzikën e tij. Gjithkush e konsideron fat, kur Dashi pranon të marrë pjesë në një festë familjare.
Karakter i fortë, por shpirt i brishtë artisti Dashnor Hoxha jetonte përditë me muzikën e tij.
Në fillim të viteve 1980 ai punon në Durrës si mësues në shkollën e mesme artistike “Mujo Ulqinaku” (sot “Jan Kukuzeli”) dhe shumica e nxënësve të tij vijojnë studimet në Institutin e Arteve.
Në Tiranë vazhdon të jetë pjesë e Orkestrës sinfonike të RTSH, edhe kur era e ndryshimeve e çorodit të ardhmen e këtiij formacioni me eksperiencë 30-vjeçare.
Bashkë me kolegët edhe ai kërkon zgjidhje në vendet fqinje apo në Zvicër, por pavarsisht nga vlerësimi i të huajve, organizimi mesa duket çalon.
Greqia e më pas Italia bëhen stacionet e para të familjes Hoxha.
Nga SHBA ku u vendos përfundimisht, Dash Hoxha në vitin 2010 kthehet për një koncert të paharruar me orkestrën e Shpëtim Saraçit, për të cilin media shkruan:
“I larguar që nga viti 1992 fillimisht në vendet fqinje e më pas në SHBA artisti 59-vjeçar i ka mahnitur dëgjuesit që patën fatin të shijojnë notat e pjesëve që kanë bërë epokë “The dream” nga David Sanborn, “Pick up the pieces” nga Kenny G, “Knoë you my heart” nga Dave Koz, etj.”
Gjatë koncertit Bashkia i blatoi Dash Hoxhës nderimin “Mirënjohja e qytetit” si “një nga instrumentistët durrsakë më të afirmuar në Shqipëri”.
Jeta e Dash Hoxhës është e lidhur ngushtësisht me familjen, me shoqen e jetës Lela, dhe me dy fëmijët, Ada e Beki.
Si një dashnor i përjetshëm, gjithnjë e më shpesh ai vjen në Durrës, qytetin ku lindi, ku u rrit dhe ku u formua si njeri dhe si instrumentist.
Tingujt plot ngjyrë të saksofonit vijnë në kafenenë pranë detit, ku po bisedojmë. Është zilja e telefonit të Dashit.
Leonard Topi, një nga instrumentistët e viteve ’80 lajmëron se pas pak do të jenë në Durrës.
“Po provojmë një kuartet saksofonësh – më tregon Dashi, duke shtuar: Sa për qejfin tonë!”
Nesër Dash Hoxha “do të ndërrojë prefix”, e do të bëhet 70 vjeç.
Kush e di, ndoshta na befason përsëri me tingujt e mrekullueshëm të saksofonit dhe klarinetës së tij.
Miqtë, kolegët dhe artdashësit për instrumentistin e shquar
Shpëtim SaraçI, kompozitor e drejtues orkestre
Dash Hoxha është artisti i notave muzikore, që nuk solli përballë publikut vetëm instrumentistin e talentuar. Ai erdhi në muzikën shqiptare si një tendencë apo më qartë, erdhi si modë.
Unë që fëmijë mbaj mend që kur vinte Dashi në Shkodër për të performuar në gëzimet familjare, e ndiqte me kërshëri një “publik pas kangjellave” dhe që e komentonte gjatë.
Gjithashtu në RTSH e asaj kohe e “pagëzuan” me emrin Dashi i Durrësit.
Publiku i shumtë e quante Dashi i saksit.
Po ta pyesësh, ai vetë thotë që instrumenti që ka luajtur më mirë është klarineta.
Unë them që ai luan muzikën që ia do zemra e shpirti me pasion fëmije.
Kjo përçonte në çdo skenë emocion të vërtetë.
Unë i uroj me gjithe zemer të gezojë sa datëlindje ti dojë zemra bashkë me familjen, që ai dashuron aq bukur.
Koç Driza, trompist
Me Dashin kemi luajtur jo vetëm në skenën e Varietesë, nëpër turne apo në festivale rajonale, por edhe në podiumet e lokaleve më të mira të qytetit dhe të Plazhit të Durrësit.
Dashi ishte mjaft kërkues dhe këmbëngulës si muzikant, duke fituar veçanërisht admirimin e turistëve të huaj. Në hotel “Adriatiku” në plazh u bëmë të njohur edhe për muzikënn italiane apo angleze që interpretonim.
I uroj Dashit jetë të gjatë me plot shëndet! Uroj që ta dëgjojmë përsëri të luajë në saksofon si dikur.
Gent Salillari, saksofonist
I dashur Dashi!
Mirënjohje pa fund sepse falë teje, pas 8 vitesh studimi violine mora kthesën e fortë, duke u lidhur përjetësisht me instrumentin e klarinetës e më pas saxofonit.
Shumë të bukura dy vitet që kaluam së bashku në shkollën artistike të Durrësit, ku ju ishit mësues. Do ti kujtoj gjithmonë me nostalgji.
Faleminderit Mjeshtër, sepse pa ju nuk do të isha sot ky që jam, faleminderit sepse transmetuat tek unë pasionin dhe dashurinë e madhe për instrumentin.
Kujtim Kabashi mësues
Në vitet e arta të karierës së tij artistike në orkestrën e vogël të RTSh, edhe prej kufizimeve të kohës, pak vetë kane patur fatin të shijojnë talentin virtuoz dhe lojën solo në saks/klarinetë të Dashnor Hoxhës. Kjo ndodhte kryesisht në ngjarjet familjare apo rrethet shoqërore ku ai ftohej.
Para disa vitesh Bashkia e Durrësit i dha Dashit “Mirënjohjen e qytetit”, një vlerësim pak të thuash i merituar.
I sapoardhur për pushime nga SHBA, koncerti që ai improvizoi me këtë rast do të mbetet i paharruar për publikun artdashës të Durrësit.
Edhe pse i shkëputur prej vitesh nga interpretimi aktiv, nën shoqërimin e formacionit muzikor të , Shpetim Saraçit, mjeshtrit dhe mikut të tij Dash Hoxha shpalosi atë mbrëmje më të mirën e repertorit ndër vite.