Banorët e pallatit nr.21, në rrugën “Isuf Molla”, në rajonin nr.2, në Durrës prej dy vitesh janë pa shtëpi.

Pallati i tyre i dëmtuar rëndë nga tërmeti u shemb, por ende nuk ka nisur rindërtimi i tij.

“Ne kemi mbetur rrugëve. Me organet qendrore dhe vendore jemi takuar. Asnjë lloj përgjigjeje nuk kemi marrë”,– thotë një nga banorët.

20 familjet e këtij pallati shprehin shqetësimin edhe për mos dhënien e bonusit të qirasë, prej 3 muajsh tashmë.

“Në lidhje me bonusin, vijmë tek bashkia na thonë nuk ka, shkojmë tek banka na thonë nuk ka, shkojmë tek prefektura na thonë nuk ka. Jemi bërë si lypsarë. Ka shku thika deri në kockë”.

“Kemi 3 muaj që nuk kemi marrë bonusin e qirasë. Jemi me rroga, japim lekët e rrogës për të paguar qiranë.”

Të gjithë banorët apelojnë për rindërtimin sa më shpejt të pallatit.

“Kërkoj sa më shpejt të bëhet pallati. Nuk i dua 200 mijë lekët e bonusit, dua shtëpinë time. Dua të vdes në shtëpinë time, të mos dalë xhenazeja nga shtëpia e tjetrit”,– tha njëra nga banoret.

Pas takimit me funksionarë të bashkisë, atyre iu komunikua se tenderi për pallatin e tyre do të hapet ditën e sotme nga FSHZH.

M.B.