Skuadra e Teutës vazhdon të kërkojë përforcime për pjesën e dytë të sezonit, në mënyrë që të shtojë elementë cilësorë në dispozicion të trajnerit Edi Martini. Një nga repartet ku kërkohet ndërhyrje është edhe prapavija dhe durrsakët po kërkojnë që të afrojnë një lojtar me shumë eksperiencë.
Ata kanë piketuar një futbollist shumë të njohur, me eksperiencë për shumë vite në futbollin shqiptar si Franc Veliu.
Mbrojtësi vlonjat tashmë është pjesë e Gjilanit në Kosovë dhe fakti që nuk po luan edhe aq rregullisht sa do të dëshironte, mund ta shtyjë të pranojë një ofertë të durrsakëve për të mbyllur këtë sezon në qytetin bregdetar.
Megjithatë, pengesë për momentin është kontrata që e lidh me Gjilanin, ku ndonëse nuk është titullar, e shohin si një alternativë me shumë vlera në një sezon ku klubi ka objektiva ambiciozë për të luftuar për trofe.