Një muaj i errët mund të konsiderohet ky i fundit për Teutën që nuk merr pikë nga 19 dhjetori i vitit të kaluar. Në Kamëz, përballë Kastriotit, kampionët në fuqi pësuan disftaën e tretë radhazi në Superiore duke humbur terren me pjesën e sipërme të renditjes. Teuta është shumë larg sezonit të kaluar dhe për ta vërtetuar mjafton të theksohet, se pas 16-të javësh, bregdetarët kanë pësuar 6 humbje, ndërkohë edicionin e kaluar, Teuta e mbylli me vetëm 4 humbje në total. Ajo që ka bërë akoma dhe më të vështirë këtë situatë është se në dy ndeshjet e fundit, humbjet kanë ardhur ndaj dy skuadrave që pozicionohen në fundin e klasifikimit, përballë Egnatias dhe së fundmi ndaj Kastriotit.
Në ndeshjen e së dielës, Teuta nuk vuajti vetëm rezultatin, por edhe mungesën e lojës, pasi vuajti vazhdimisht për të gjetur forcën që të reagonte, për të ndryshuar kursin e sfidës. Për herë të fundit në elitën e futbollit shqiptar, Teuta i pësonte tre humbje radhazi në prillin e vitit 2019, kur bregdetarët dolën pa pikë ndaj Tiranës, Flamurtarit dhe Laçit. Një sezon me shumë ulje dhe ngritje, por edhe rikthimi i Martinit në stolin e kampionëve nuk ka dhënë ende impaktin, pasi në këtë rikthim Martini ka njohur vetëm humbje dhe për më tepër skuadra ka shënuar vetëm dy gola, një ndaj Tiranës dhe një ndaj Egnatias. Me tre humbje radhazi Teuta e çon në katër numrin e ndeshjeve pa fitore, ndërsa suksesi i fundit është në fillim të dhjetorit përballë Dinamos në transfertë.
Vetëm 16 gola në këtë sezon, sulmi i 6 më i mirë, por në listën e golashënuesve e kryeson për momentin Gruda dhe Lorenco Vila, të dy në kuotën e dy golave të shënuar. Në fund të dhjetorit këtë listë e kryesonte Gorgiev me katër gola, por sulmuesi mbylli aventurën e tij në këtë merkato janari dhe tashmë mbetet për t’u parë, nëse lëvizjet e janarit ishin të duhura apo jo, por për momentin asgjë nuk ka ndryshuar. Një situatë që në kampin e bregdetarëve pritet të ndryshojë, por kalendari nuk është aspak në favor, sepse në harkun e 14 ditëve, Teuta do të luajë 4 takime. Pas derës qëndron Laçi, më pas dy takime radhazi me Skënderbeun, në Kupë dhe kampionat për ta mbyllur këtë tur force me Partizanin në ditët e para të shkurtit.