Një tjetër futbollist largohet nga radhët e Teutës në merkaton e janarit, duke vazhduar ndryshimet e mëdha që kanë pësuar durrsakët në një sezon ku po shfaqin vështirësi. Kampionët në fuqi, pasi i kanë dhënë lamtumirën Sherif Kallakut, i kanë dhënë lamtumirën edhe një tjetër sulmuesi.

Kevin Kubemba, sulmuesi 28-vjeçar nga Kongo, nuk është më pjesë e durrsakëve, pasi ka ndërprerë kontratën e tij me “djemtë e detit”. Kubemba ishte afruar me shumë bujë gjatë verës dhe klubi kishte pritshmëri të madhe ndaj tij, duke e bërë atë lojtarin më të paguar në klub.

Por paraqitjet e lojtarit kanë qenë zhgënjyese pasi ai ka shënuar vetëm 2 gola në 13 ndeshje të luajtura me fanellën e kësaj skuadre. Kështu, palët kanë gjetur akordin dhe sot është ndërprerë me mirëkuptim marrëveshja mes tyre. Një largim të cilin në kampin durrsak do ta mbulojnë me afrimin e Hebajt, i cili iu bashkua kësaj skuadre në ditët e para të janarit.