Nga BUJAR QESJA
Edhe 11 shkurti i vitit 2022, erdhi i trishtë. Është edhe mosha e jonë, që gradualisht po vjen drejt epilogut të jetës, duke ndjerë dhe prek dhimbshëm largimet nga jeta. Nuk e kisha menduar asnjëherë më parë, se do të përballoja një ngarkesë jo vetëm fizike, por edhe të një gjëndje të rëndë morale psikologjike, që të japin kjo kategori shkrimesh.
Në një formë a në një tjetër, janë shkrime lamtumire, kur ndahesh nga e gjalla e shokëve dhe miqve që ke lënë kokën për ta dhe ato kanë lënë kujdesin dhe mallin për ty. Më duhet të godas me lapsin e përjetimit, dhimbjen që ma bren shpirtin si brisk, për ta bashkuar me mesazhin e vazhdimësisë së jetës. Moshatarët, por edhe shokët e hershëm të fëmijërisë, ata shokë që asnjëherë nuk i ikën floriri i miqësisë së pastër, në apelin e përditshmërisë kanë nisur të na mungojnë.
Në kohë të ndryshme nuk i kam në jetë shokët, që lëngu i kujtimeve gjithnjë do t’i mbaj gjallë si Eleni Theodhori, Gëzim Bala, Agim Zaza, Bardhyl Arapi, Skënder Digli, Kasem Xheneti, Ilir Hoxha, Vangjel Tefa, Shpëtim Gina, Tonin Shtjefni, Hysni Milloshi, Skënder Hasko, Jamarbër Marko, Tomor Jolldashi, Apostol Duka e tani edhe Edmond Ziu.
Në lagjen e vjetër nr.4, pranë ish rrugës “Nail Kondi”, kur zbret nga rruga e poshtme që sot të çon nga “Blu Stari” i njohur, në një zonë me durrsakë të vjetër e të fisëm, jetonte edhe Edmond Ziu me nënën e tij Silva. Djalë i vetëm, që shpresonte shumë tek gjaku i pastër i saj. Familja e Ed Ziut ishte fqinj me Koretat e njohur, me fisin e Fanëve, të Dritëve, të Rexhëve, të Kadive, të Toskëve, të Lalëve dhe me familjet tona të një rruge më sipër, përbënin pjesë të florinjtë të qytetarisë durrsake.
Edmond Ziu, mosha 70 vjeçare, pa as më të voglin ndryshim me numurimin e viteve të jetës time. Aso kohe, dyert e shtëpive tona nuk kishin çelës. Të gjitha shtëpijat ishin tonat, pasi të gjithë prindërit tanë ishin në miqësi të papërsëritshme. Shkolla “Dalip Tabaku” shumë pranë shtëpijave ku jetonim, u bë streha e dytë për ne. Dhe kjo ishte arsyeja që me Ed Ziun, na lidhi shoqëria e ngrohtë, e sinqertë duke qenë më shumë se vëllezër. Një djalë i bukur, me një shtat mbi mesataren, i pastër dhe i veshur me gusto, me një komunikim që nuk harrohet, po rritej dita ditës. Komshiu im, shoku im i klasës për gjashtë vite do të ishte ky Edmond Ziu.
Kujtoj kaligrafinë e një shkrimi, që s’kishte të dytë në shkollën tonë. Vizatonte shumë bukur ky Edmond Ziu. Por një pasion dhe talent të rrallë tregonte edhe për violinën. Gruaja e kompozitorit të famshëm të Durrësit Pjetër Dungu, ishte motra e nënës së Ed Ziut. Kjo ishte edhe një nga shkaqet, që shoku im nga më të çmuarit e fëmijërisë nisi të ushtronte violinën. Po sa bukur i shkonte! Shkolla e muzikës “Dalip Tabaku” , kishte një nam të mirë edhe më shumë me Edmond Ziun. Me ustallarë të tillë të muzikës si Stathi Qehajev, Sulejman Lakavaja, Jani Jakovi, Ed Ziu do ti bashkohej emrave të njohur të harqeve, që bënë karierë pse jo edhe histori. Në këtë shkollë punuan edhe mjeshtra të tillë të mëdhenj të muzikës si Pjetër Dungu dhe Feim Ibrahimi.
Dhe harqet e “Dalip Tabakut” ishin harqet e qytetit, ishte ajo farë e shëndetshme që frytet e saj gjithnjë do të mbeteshin të freskëta. Mua më dukej se tërë rruga e jonë “Nail Kondi”, ishte kthyer në një orkestër gjigande pasi aty nuk e kishin shtëpinë vetëm instrumentistët e njohur si Vaso Papa, Vladimir Caku, Vullnet Sabahu, Ramazan Peku, Edmond Ziu, Hiqmete Biduli, Florian Vlashi, Mustafa Turku, Filip Lena, Pandush Gjezi, Natasha e Piro Dollani, Babuka Bega, por edhe Pjetër Dungu e Feim Ibrahimi. Nuk mund të lë pa përmëndur edhe shokun tonë të ngushtë Hajg Zaharianin, që u bë shumë i njohur në fushën e muzikës.
Tingujt e violinës së Edit, i dëgjoja çdo mbrëmje dhe më përcillnin në gjumin e ëndërrave. Njeri i pastër, me zemër të pastër. Ed Ziu u përfshi aktivisht në jetën muzikore të qytetit, duke qenë pjesë e harqeve të njohura të Durrësit. Ashtu siç qendiste violinën, ashtu edhe zgjodhi profesionin e mekanikut, duke bërë që edhe hekurat të këndonin nga fantazia e punës së tij.
Ed Ziu mbeti e bardha e përhershme e jetës, duke përparuar në çdo hap. Mekanik, saldator, hartues i skicave në punimin e ndryshme të metaleve, ai mbeti mjeshtri i pakonkuruar.
Jeta e lidhi me një vajzë fisnike, një mjeshtre në qepjen e rrobave. Adelina është vajza e motrës së heroit të punës Maqo Dhosi, një derë e përkryer për të krijuar një familje po të tillë. Dy djemtë e Edit profesionistë në zanatet e tyre. Lorenci punon dhe jeton në Itali, ndërsa Renato në Tiranë. Ed Ziu i donte më shumë se veten katër nipat dhe mbesat, duke kaluar kohë të arta me to. Jeta dhe puna, profesionet e ndryshme që zgjodhëm në jetë natyrisht na ndanë, por kurrë nuk mund të ndanin dhe të harronin fëmijërinë tonë. Takoheshim rrallë por me shumë mall, një mall shokësh që jeta na ofroi në një kapitull të pafund kujtimesh.
Katër ditë më parë, temperaturë, një aktivizim i papritur i një ftohje të vjetër.
-Jam mirë, kishte thënë Ed Ziu para 24 orësh.
Por ja që dhimbja si në jorgan i zi, mbuloi shpirtin tonë të trishtë dhe na dha lajmin e kobshëm të largimit nga jeta të Edmond Ziut, shoku ndër shokët e mi të parë. Kjo moshë e jona, më duket sikur i përjeton dhimbjet më shumë se të tjerët. Janë kujtimet që përplasen fuqishëm në memorie dhe si një det i egërsuar na e dëmtojnë jetën.
Me siguri do të më bie rruga për nga shtëpia e vjetër, për atë që shprehem si rruga “Nail Kondi”. Do të zbres edhe nga rruga e poshtme që merr për nga “Blu Stari”. Dhe të jesh i sigurtë Edi, që do të ndaloj edhe para shtëpisë tënde, të asaj shtëpie që kaluam fëmijërinë tonë dhe mbetem shokë të ngushtë. Dhe do të shikoj me sytë e mëndjes ty dhe instrumentin tënd të katër telave.
Edmond Ziu, melodia e përjetshme e violinës.
Durrës: 11 shkurt 2022