Nga BUJAR QESJA

Kam disa vite që e kam ruajtur këtë foto në sirtarët e arkivave të mia. Jo se kam qenë ai që e ka realizuar këtë pamje të rrallë, nga më të bukurat dhe nga më origjinalet. Kjo foto ka qarkulluar në rrjetet e komunikimit, por nuk ka qenë e plotë. Shkruhej thjesht “Mjekët tanë” dhe në gjashtë personat e shfaqur, mungonte vetëm emri i njërit. E kështu foto bëhej e paplotë, e cunguar dhe vlerat historike përbuzeshin. Jam lodhur por më kot, për të gjetur ditën, muajin dhe vitin e këtij realizimi mjeshtëror. Duke e krahasuar me moshën time, mund t’i ofrohem shumë pranë parashikimit, që foto është e fundit të viteve 60-të, apo fillimi i viteve 70-të. Sido që të jetë, kemi të bëjmë me një pamje mbi gjysëm shekullore. Mjeshtrat e mjekësisë kanë ndërtuar një gonxhe gjigande, dalluar jo vetëm nga e bardha e veshjes tradicionale, por së pari e bardha e mirësisë dhe shpirtërave të tyre dallohet fare qartë. E megjithatë kjo foto, megjithëse e “prerë”, bënte jehonë e njerëzit shfaqnin opinione nga më të ndryshmet. Por në një pikë bashkoheshin:

-Janë mjekët tanë, që hodhën themelet e shërbimit të kualifikuar shëndetësor, në kushte shumë, shumë të vështira, por me një përkushtim shumë, shumë të jashtëzakonshëm. Janë gjashtë persona që nuk shikonin xhepat e tyre, por ishin plot pasion në meritimin e fjalës aq të tingëlluese shqipe: FALEMINDERIT.

E mungesa e atij personi, ma shtyu këtë shkrim, që mezi e kam pritur ta ndërtoj për disa vite. Dhe më në fund, si Arkimedi historik bërtita me zë të brëndshëm:”EUREKA”, e gjeta. Dhe e gjeta vërtet. E shikoj foton me vëmëndje. E kam shikuar po me këtë kujdes shumë herë. Dhe sytë më mbesin aty dhe mëndja diku tjetër. Diku tjetër, është historia e madhe dhe e përkryer e punës, ku emrat e tyre i ushqyen me djersë dhe pasion duke ndërtuar atë punë të mrekullueshme, që historia e ka arkivuar veçse mirë. Dhe na bën të mburremi me këtë. Dhe na bën të ndjejmë krenari, që sa herë t’i kujtojmë, të mendojmë se a mbetemi të denjë të krahasohemi me ta. Dhe nëse kjo nuk ndodh, të paktën t’i ofrohemi sadopak.

Hajde lëvizim së bashku lexues i dashur, nëpërmjet këtyre rradhëve dhe të ndjejmë çfarë po shikojmë dhe ta shijojmë nëpërmjet të dhënave për to. Kemi nga e djathta Miri Hotin, Beniamin Çettën dhe tek personi në vazhdim kam mbetur i mangut tërë këtë kohë. Është infermieri reaminator Isuf Allkja. Vazhdojmë me Stefan Vokopolën, Bashkim Habibin dhe Haki Bllacën.

Ky Isuf Allkja ka lindur me 15 mars 1938 në Librazhd. Shumë i ri përfundoi kursin njëvjeçar në Korçë dhe deri 19-të vjeç punoi në spitalin e Librazhdit. Viti 1959 e sjell Isufin në Durrës, por me një angazhim për të thelluar njohuritë në zanatin e zgjedhur. Nga NB Sukthi, kalon në shkollën bujqësore të Golemit dhe mbyll arsimin 7-të vjeçar. Dashuria për profesionin e infermierit, e detyroi të përfundoj një shkollë tjetër tre vjeçare në Durrës. Isuf Allkja në vitin 1965 është në poliklinikën e qytetit dhe më tej në spitalin e Durrësit, në sallën operatore duke u aftësuar edhe si anestezist.

Miri Hoti! Gjigandi i kirurgjisë durrsake. Lindi me 22 maj 1942 në fshatin Arrëz të Korçës. Aty mbaroi arsimin shtatë vjeçar, për t’iu drejtuar Shkodrës në marrjen e deftesës së pjekurisë. Viti 1964 ishte fatlum për Miri Hotin, pasi mbaroi studimet e larta në fakultetin e mjekësisë në universitetin e Tiranës. Megjithëse i kërkuan t’u jap mësim mjekëve të ardhshëm, Miri Hoti nuk ndjehej rehat me këtë kostum. Ai i ishte falur mjekësisë kirurgjikale. Specializohet për kirurgji, neokirurgji dhe urologji. Ndonëse në këtë jetë të ngarkuar kreu shumë detyra si drejtor i spitalit të Durrësit, shef i repartit të kirurgjisë, deputet në parlamentin e Shqipërisë, kryetar i Bashkisë, ai nuk iu nda bisturisë, që ishte si një masë e florinjtë në duart e këtij mjeshtri të papërsëritshëm. Popullariteti i Miri Hotit mbetet historik, si vetë puna dhe përkushtimi i tejskajshëm profesional. Miri Hoti “Qytetar Nderi i Durrësit”, “Mjeshtër i Madh” mbetet i madhi ndër më të mëdhenjtë.

Beniamin Çetta u kthye në një beniamin për durrsakët. Binomi Çetta-qytetaria durrsake, do të mbetet në jetë të jetëve nga më të veçantat. Sakrificat e Ben Çettës nuk kanë për t’u lëkundur, ndonëse bardhësinë e jetës së tij, korbat e zinj të politikës kërkuan ti vendosnin njollën e të burgosurit, me atë dënim neveritës të agjitacion propagandës. Njeriut më disa gjuhë të huaja, me një kulturë të thellë, me një bibliotekë që zor se ekziston një e dytë, njeriut që për 20 vite (1961-1981) ishte i vetmi kardiolog në të gjithë rrethin e Durrësit, kërkuan ta denigronin, ta shkatërronin moralisht, ta cfilitnin dhe ta përbuznin, ta poshtëronin dhe nëpërkëmbnin. Eh Ben Çetta, sa i rrallë ke qenë! Mbijetues sa vetë jeta, do të mbetet postulati yt: “Mjekësia do mënd, zemër dhe këmbë”. Beniamin Çetta, “Qytetar Nderi i Durrësit” lindi me 21 mars 1937 në Tiranë. U diplomua për mjekësi në vitin 1959 dhe në kohë kryen specializimet e nevojshme. Provoi burgjet e Qaf Barit, Bulqizës dhe Zejmenit, por shpirtin e tij nuk mundet dot ta burgosnin. Nuk ka derë durrsaku, që të mos ketë shkelur këmba e Ben Çettës. Dashuria e tij derdhej lumë, duke njomur me bekimin e së mirës zemrat e plagosura të durrsakëve. Veç të mira ka bërë ky njeri në jetë, aq sa durrsakët me 7 korrik të vitit 2009, i bënë një përcjellje të paharruar këtij kalorësi të mjekësisë.

Haki Bllaca, emër tjetër i famshëm i mjekësisë durrsake. E kam quajtur gjithnjë: “Hakiu im”. E kisha shumë mik. Njeri me zemër të madhe, me një humor që nuk shterrej asnjëherë. Lindi në Gjirokastër me 5 maj 1934, por arsimimin e bëri në Durrës. Në periudhën 1954-1960 Hakiu u ndodh në Bullgari, duke përfunduar studimet e larta për stomatologji në Akademinë Mjekësore të Sofjes.

Hapat e para në profesion i bën në Sarandë dhe në Durrës vjen në vitin 1963. Ka dhënë shumë në stomatologjinë për fëmijë, ku është i njohur për studimet dhe argumentimet shkencore për patologjitë maksiolofaciale. Krejt papritur i shfaqet astma bronkiale, që do të ishte fatale. Me 2 prill 1995 ndahet nga jeta, duke mbetur i përjetshëm në kujtimet tona.

Stefan Vokopola, trashigimtar i një mbiemri shumë të njohur në mjekësi. Ai është i biri i Dhimitër Vokopolës, pasikiatrit nga më të famshmit në Shqipëri, drejtori i parë i spitalit të Durrësit në dhjetor të vitit 1944. Lindi me 18 janar 1938 në qytetin italian të Barit. Edhe Stefani i takon brezit të viteve 50-të, kur mbaroi shkollën e lartë për mjekësi. Më pas vijnë specializimet e dëndura në profilet e neurologjisë dhe psikiatrisë. 23 vjeç nis angazhimet itensive në mjekësi, duke filluar punë në spitalin e Durrësit. Përfundon kualifikimet për agipunkturë dhe neuropsikiatër. Përkushtimi dhe zelli i madh në detyrë, e vendosin drejtor në spitalin e Durrësit në vitin 1991. Për dy vite punon si kordinator në një grup strukturash private psikiatrike në Gjenova në Itali. Është ndër të parët që hap klinikë private, due krijuar edhe një trukturë poliambulatore. Në moshën 63 vjeçare i çfaqet një sëmundje e rrezikshme, të cilën arriti ta trajtojë në një nga klinikat e Romës. Punon sërish me ngulm dhe pas tri vitesh, sëmundja e pashërueshe i rikthehet. I papërkulur deri në ditën e fundit, derisa me 24 mars 2004, ndrron jetë në Leçe të Italisë. Doktori i Shkencave Stefan Vokopola, mbetet nga shtyllat kryesore të mjekësisë durrsake.

Bashkim Habibi u lind në Fushë Kosovë –Prishtinë, me 30 gusht 1945. Hapat e para në rrugën e vështirë të karierës mjekësore, i bëri si ndihmësmjek pasi mbaroi shkollën e mesme në vitin 1961. Në fund të viteve 60-të përfundoi shkollën e lartë për mjekësi. Specializimet e herëpashershme, Bashkim Habibin e kthyen nga mjek i përgjithshëm në kirurg. Më pas thellon njohuritë për ortopedi traumatologji. Mbetet i pari ortoped për qarkun e Durrësit. Detyrën e shefit të kirurgjisë në spitalin e Durrësit, e kryen në vitin 1992. Përpjekjet për tu thelluar në fshehtësitë e zanatit, e detyruan Habibin tonë të ndjekë specializime edhe në klinikat e njohura italiane. Për 35 vjet (1973-2008), punoi si kirurg i përgjithshëm dhe ortoped në spitalin e qytetit. Ai dhe sot e kësaj dite, nuk është larguar nga ushtrimi i profesionit, ndonëse është në moshën 77 vjeçare. Ajo që dua të veçoj tek ky emër i njohur i mjekësisë, është puna e madhe që kreu në hartimin e librit aq të rëndësishëm “Historiku i spitaleve të Durrësit”.

Kjo ishte ajo që doja ta realizoja para shumë viteve, por që i erdhi momenti ta shfaq tani. Një foto e plotësuar, me të dhëna të sintetizuara nga të gjashtë të njohurit e mjekësisë. Se çfarë janë ato për Durrësin, është pak të themi se shumë të rëndësishëm. Ajo që vlen është të theksojmë se, ata mbeten shembull dhe pikë referimi në atë që quhet mjekësia durrsake. Të ndershëm! Sakrifikues deri në vetmohim! Të mëdhenj në shpirt dhe në sjellje! Modeli i asaj që duhet të jetë mjeku, shërbëtor i popullit.

Sa i takon bakshshisheve, krimbjes së ndërgjegjes, të atij korrupsioni që s’ka të bëj me këto modele, secili le ta komentoj në koshiencën e tij. Vetëm dua të shtoj, se këto të gjashtë janë historia e gjallë dhe e patronditur e asaj që duhet të arrijmë.

Të paktën të jemi sa gjysma e tyre!

Në foto: Nga e djathta Miri Hoti, Beniamin Çetta, Isuf Allkja, Stefan Vokopola, Bashkim Habibi dhe Haki Bllaca