Teuta nuk ja del ndaj Tiranës.
Bardheblutë triumfuan me rezultatin e pastër 0-2, ndërsa heroi i ndeshjes ishte Taulant Seferi.
Bomberi i kryeqytetasve shënoi të dy golat për ekipin e tij duke u konfirmuar lider i skuadrës, ndërsa tashmë shkëputet edhe në klasifikimin e golashënuesve duke shkuar në kuotën e 14 realizimeve.
Goli i parë për lojtarin nga Kumanova erdhi në minutën e 17 teksa Seferi përfitoi edhe nga një naivitet i portierit të ri të durrsakëve Dema.
17-vjeçari nuk e kontrolloi mirë goditjen e Seferit dhe sfera i shpëtoi nga duart duke kaluar vijën fatale.
Në vazhdim, durrsakët provuan të reagonin por Emiljano Vila nuk pati shënjestrën e duhur.
Në fraksionin e dytë, sinjalin e parë e dha Teuta, me anë të një inkursioni të Lorenco Vilës me Najdovskin që u tregua i vëmendshëm për të larguar rrezikun.
Nga krahu tjetër, Tirana nuk shpërdoron mundësinë për të vendosur tre pikët në kasafortë dhe Seferi shënon pas një sponde të Devid De Silva.
25-vjeçari feston në stilin e CR7, ndërsa skuadra bardheblu udhëheq e qetë kampionatin ndërsa shkon në nëntë pikë avantazh ndaj Laçit që ka një ndeshje më pak dhe luan nesër ndaj Egnatias.
Ndeshja e radhës për Tiranën është ajo e së shtunës ndaj Partizanit, ndërsa të besuarit e trajnerit Orges Shehi i dërgojnë një sinjal të kuqve që në këtë sezon nuk ia kanë dalë ta mposhtin Tiranën në asnjë prej dy sfidave duke pësuar dy humbje.