Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako ka shprehur vlerësimin e saj për gratë dhe vajzat shqiptare.

Në një status në rrjetet sociale, Sako shpreh angazhimin e saj për arritjen e të drejtat e barabarta të grave në shoqëri.

Kryebashkiakja shkruan se bashkia e Durrësit ka mbështetur për herë të dytë fushatën “Këpucët e Kuqe”, në mbështetje të të drejtave të grave dhe vajzave.

“Dua t’ju shpreh angazhimin tim se do të punoj për mundësuar edhe më shumë hapësira për gratë në të gjitha nivelet, nga baza e deri tek majat, për të ndryshuar dinamikat, riformësuar dialogun, për t’u siguruar që zëri i grave dëgjohet.”, shkruan ndër të tjera Sako në “Facebook”.

Postimi i plotë:

Jam shumë e nderuar t’u drejtohem grave dhe vajzave shqiptare që meritojnë falënderime dhe respekt për gjithçka që ato bëjnë për familjet e tyre, qytetin dhe vendin tonë.

Si nënë, si bashkëshorte dhe si drejtuese e Bashkisë Durrës shpreh angazhimin se aspiroj për të drejtat e barabarta të grave, për respektin dhe dinjitetin e gruas në shoqëri. Unë si shumë gra të tjera, e mbushur me idealizëm, pasion, motivim vendos të qëndroj për nënën time, veten time, mikeshat e mia, gratë e dhunuara, gratë në vështirësi ekonomike e sociale dhe të rris zërin për një Shqipëri ku gruaja është e zonja dhe zë i fortë. Të jemi të gjithë bashkë kundër dhunës ndaj grave në familje e shoqëri, ky është misioni ynë dhe i gjithë shoqërisë.

Në këtë 8 mars Bashkia e Durrësit mbështet për të dytin vit rradhazi fushatën “Këpucët e Kuqe” që ka në fokus pikësht këtë kauzë.

Dua t’ju shpreh angazhimin tim se do të punoj për mundësuar edhe më shumë hapësira për gratë në të gjitha nivelet, nga baza e deri tek majat, për të ndryshuar dinamikat, riformësuar dialogun, për t’u siguruar që zëri i grave dëgjohet.