Deputeti i Partisë Demokratike në Durrës, Ferdinand Xhaferaj ka komentuar sërish zhvillimet e fundit në PD, si dhe rezultatin negativ që pësojë kjo forcë politike në zgjedhjet e pjesshme vendore.
I ftuar në emisionin “100% News”, Xhaferaj është shprehur se kryedemokrati Lulzim Basha duhet të japë dorëheqjen, pasi nën drejtimin e tij PD nuk vjen në pushtet.
Ai tha se pas zgjedhjeve të 6 marsit ka patur dhe një takim me Bashën, ku i ka kërkuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë që të japë dorëheqjen.
“Të nesërmen që ishte e enjte, u takuam me z.Basha. Ferdinand më tha, jam munduar të kuptoj. Do kisha shumë dëshirë të më kuptoje ashtu siç unë po t`i them gjërat. Këtu nuk ka asgjë personale, por ka shumë gjë me fatet e demokratëve, kështu duhet ta rishikosh. Po e rishikoj tha dhe do të doja që nesër dhe pasnesër të mos ishe shumë aktiv. Në mënyrë të padiskutueshme i thashë”, u shpreh Xhaferaj.
“Ai ka shprehu disa herë në mbledhjet e fundit të grupit parlamentar që unë jam në dispozicion të çdo zgjedhjeje për t`i shërbyer PD-së. Dhe unë kur mora fjalën ia thashë qartësisht, të jesh në dispozicion të PD-së, do të thotë të jepni dorëheqjen sot, nga këtu fillon zgjedhja”, shtoi ai.