Në përfundim të takimit me biznesin e vogël në Durrës, ku prezantoi paketën e rezistencës sociale, kryeministri Rama  u ndal edhe tek ecuria e procesit të rindërtimit në qytetin bregdetar.

Vonesat në kalimin e bonusit të qirasë kanë qenë një ndër shqetësimet kryesore të rreth 3800 familjeve që e përfitojnë atë prej rreth 2 vitesh.

Ankesat për bonusin kanë mbërritur edhe në veshin e kryeministrit, sepse ai ia përmendi këtë fakt kryetares së bashkisë, Emiriana Sako, ndërsa theksoi se procesi i rindërtimit nuk do të ndalet, pavarësisht krizës.

“Këtu nuk diskutohet që nuk ndërpritet procesi i rindërtimit. Duhet me pa pak bonusin e qirasë, sepse kam marrë ca ankesa për bonusin e qirasë, për ata që nuk janë akoma në shtëpi”,- tha kryeministri.

Familjet e Durrësit të mbetura të pastreha nga tërmeti kanë marrë bonnusin e qirasë deri në muajin janar dhe sipas burimeve zyrtare nga bashkia, këto ditë po kalon fondi për muajin shkurt. Të njëjtat burime konfirmojnë për “DurrësLajm” se paratë do të nisin të kalojnë në llogaritë bankare të qytetarëve në fund të kësaj jave dhe fillimin e javës së ardhshme.

Gjatë takimit me bizneset e Durrësit, kryeministri u ndal edhe njëherë në faktin që është deputet i qytetit dhe tha nënvizoi se shpreson që asnjë nga projektet infrastrukturore të nisura nuk do të ndërpritet. Në të njëjtën kohë, ai shprehu edhe vlerësimin për punën e kryebashkiakes Sako, që siç tha edhe vetë e kishte surprizuar.

“Do bëj çmos bashkë me Anin, me besimin që i dhatë, ma ka mbush mendjen edhe mua tani, më shumë nga ç’e kisha të mbushur që është personi i duhur për të bërë këtë punë. Bëj shaka, por gjysma e së vërtetës”,– tha Rama.

M.B.