Oborri i Muzeut Etnografik të Durrësit, dikur ishte i mbushur me vizitorë, ndërsa sot dera e kësaj godine rri e mbyllur, si për banorët vendas nostalgjik ashtu edhe për turistët.

Alketa Tragaj, specialiste e kostumografisë, foli për “DurrësLajm“, duke sjellë edhe njëherë në vëmendje rëndësinë historike të këtij objekti.

Tragaj shpjegon se kjo godinë i përket gjysmës së dytë të shekullit të 19-të dhe mbart vlera të jashtëzakonshme arkitekturore. Ajo ka qenë fillimisht e konceptuar si një banesë dykatëshe, ndërtuar me stilin post mesjetar, dy kullat e së cilës lidhen me njëra-tjetrën me pjesën e çardakut.

Kjo banesë tradicionale durrsake u shpall për herë të parë monument kulture në vitin 1983, dhe më pas do të merrte emrin e aktorit me famë botërore, pasi vetë Aleksandër Moisiu do të jetonte këtu për plot 5 vjet.

Sipas Tragaj, ekziston një projekt për restaurimin e muzeut, por nuk dihet ende kur do të vihet në zbatim.

Deri atëherë, duhet të hiqemi sikur në zemër të qytetit nuk ekziston një dëshmi e tillë e historisë.