Një 45-vjeçar ka pëfunduar në pranga e policisë së Durrësit, pasi është kapur në flagrancë duke vjedhur para në banesën e shteasit L.Ll, në Rrashbull.

Mësohet se në pranga ka përfunduar shtetasi me iniciale: D. K., 45 vjeç, banues në Rrashbull.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Policisë vijojnë punën për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen dhe dokumentimin e atyre të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë penale.

Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë u parandalua vjedhja e një shume parash, në një banesë, në Rrashbull, Durrës.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Postën e Policisë Manzë u arrestua në flagrancë shtetasi D. K., 45 vjeç, banues në Rrashbull, Durrës, pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në tentativë për të vjedhur në banesën e shtetasit L. Ll., shumën e parave 23.000 lekë të rinj, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Duke marrë shkas nga vjedhjet e ndodhura ditët e fundit, për zbardhjen e të cilave u zhvillua operacioni “Seriali”, Policia e Durrësit i bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të vjedhjes së pronës dhe pasurisë së tyre, duke u garantuar se do t’u vijë në ndihmë në çdo kohë.