Pushimi për shkak të ndeshjeve të kombëtareve i ka krijuar hapësirën skuadrave që të rikuperojnë energjitë, për t’u përgatitur për javët e fundit të sezonit, që do të jenë dhe më vendimtaret. Krahas përgatitjeve të skuadrave, me shumë gjasa fillimi i prillit do sjellë lajme të mira dhe për disa nga klubet që do të kenë gati stadiumet e tyre.“Niko Dovana” është impianti që shumë shpejt pritet të hapë dyert. Teuta ishte e detyruar që këtë edicion të luante larg shtëpisë për shkak të rikonstruksionit të fushës.

Fusha e Teutës është thuajse gati e me gjasa ndeshjen e radhës në shtëpi do ta luajnë në stadiumin e tyre. Drejtuesit e skuadrës bregdetare nuk kanë dashur të nxitohen, duke i dhënë kohën e mjaftueshme tapetit, në mënyrë që të mos kërkohet ndërhyrje së paku për disa vite. Ndeshja e radhës në shtëpi për Teutën është programuar për t’u luajtur në fillim të muajit të ardhshëm ndaj Partizanit.Të kuqtë e kryeqytetit janë një tjetër skuadër që janë në pritje të punimeve të kompleksit të tyre, që do të jetë dhe shtëpia e re për ta. Gjërat kanë shkuar mirë dhe në impantin e demave, të cilët presin po ashtu momentin për t’u zhvendosur përfundimisht në stadiumin e tyre.