Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Qemal Domi, është portreti më i ri që i shtohet galerisë së pafund të punëve të mia, kur është fjala për protogonistë të vlerave të qytetarisë durrsake. Sonda e krijimtarisë dhe e përvojës së gjatë publiçistike, thellohet edhe më shumë në minerën e pafund të kulturës dhe qytetarisë, duke nxjerrë prej saj thesarin e dëshiruar. Në jetën aktive të punës dhe përpjekjeve profesionale, jam ndeshur me njerëz të natyrave të ndryshme, ku secili ka origjinalitetin, të veçantën, ku të gjithë më pas bashkohen në atë që quhet vlerë, kujtesë për t’iu referuar, për t’i patur si shembull, e për të thënë më pas se këto janë modelet tona.

Rrëfimi pas këtij prologu ndalet tek një njeri, që e kisha vendosur në planet e mia të punës prej heri dhe tani më erdhi për së mbari t’i përkushtohem. Është Qemal Domi, me një shtat mesatar, me një fytyrë tërheqëse, me flokë mbushura me krela, por shumë energjik dhe me cilësi të veçanta. Vështirësia e punës time qendron, nëse arrin të japësh të plotë portretin e Qemal Domit, ashtu siç që ai ishte në segmentin jetësor prej 78 vitesh.

Frymëmarrja e parë zë fill me 24 tetor 1942 dhe soset në pranverën e parë, me 6 mars të vitit 2020. Problemet shëndetësore, një diabet aktiv që nuk iu nda thuajse tërë kohën, ulçera në stomak gjithnjë e shqetësonte, ku fiziku i tij nuk mundi ti rezistonte një tjetër goditjeje fatale. Por në rastin e Qemal Domit, kujtesa dhe mos-harresa janë bashkuar të dyja për t’i dhënë përjetësinë e merituar. Jam befasuar kur mësova se, prejardhja e emrit Qemal sipas arabishtes së vjetër, do të thotë përsosmëri. Dhe këtë pësosmëri Qemal Domi, e justifikoi plotësisht.

Mustafa Domi një derë e përmëndur në Metallaj të Shjakut, martuar me Naile Korrikun ngritën familjen e tyre, duke u shtuar me dy djem Qemalin dhe Nazmiun, si dhe me katër vajza Nadiren, Lirinë, Shpresën dhe Vjollcën. Mustafa Domi veç kësaj, i gëzohet edhe 8 nipërve dhe pesë mbesave, duke qenë gjithnjë derë e madhe e këtij fisi të njohur. E Qemali ndonëse ndërtoi familjen e tij të shenjtë, nuk i harroi prindërit, vëllain dhe motrat, pasurinë e tij të origjinës.

Një njeri në jetë vë bastin e ekzistencës, që lyhet me dinjitet dhe personalitet kur vendos të jetë i ndershëm, moralisht lartë, i sinqertë, i përkushtuar ndaj vetes dhe shoqërisë, me bindje për të qenë gjithnjë i saktë dhe i mundshëm për të sakrifikuar, për të dhënë më të mirën, e për të evituar të ligën dhe paudhësitë. Tek Qemal Domi të gjthë këto cilësi qendrojnë të bashkuara, duke ndërtuar gjerdanin e artë të jetës, shkëlqimi i së cilës nuk ka gjasa të shuhet.

Arsimin shtatë vjeçar e kreu në shkollën “7 Nëntori dhe atë të mesëm tek “16 Shtatori” i famshëm. “Zgjidhi shokët më të mirë se veten” iventarizohet në urtësinë e popullit kjo shprehje. Dhe Qemali ynë u shoqërua me njerëz të mirë dhe të mënçur, me tradita kulturore dhe qytetarie. A nuk janë të tillë Vehip Bakiri, Vangjel Aleksi, Mihal Qerimi, Fadil Marika, Adriana Nako, Muhamed Laknori, Diana Rrugia, Myzafer Averiku, Enite Golemi, Ali Bega, Milena Beligradi, Ikbale Gallaj etj.? Sigurisht që po.

Në shkollën e mesme Qemal Domi u dallua për korrektësi, studioz i spikatur, i mprehtë për të thithur njohuri në gjuhët e huaja, hokatar por edhe serioz, energjik dhe i shkathët aq sa duhet, i shoqërueshëm por hera herës i mbyllur brenda vetes, duke gjykuar mbi vazhdimësinë. Të gjitha këto tregues i kristalizoi më tej me kalimin e viteve, duke na dhënë portretin e një intelektuali të kohës, konkurues dhe sfidues.

Jeta e Qemal Domit ngjason me një anije, e cila lundroi në një det që herë qetësohej dhe herë sulmohej nga dallgët, duke mos ndryshuar kursin drejt destinacionit të kërkuar. Si një kapiten i aftë, atij iu desh të përballej dhe të përplasej me këto dallgë të jetës, ku deti i trazuar filloi të duket që në fillim të viteve 60-të.
Nxënës si ai i plotësonin të gjithë treguesit, për t’u aftësuar në shkollimin për kapiteneri në Odesa të Ukrainës. Edhe atje nga më të mirët. Shumë shpejt përvetëson gjuhën ruse dhe komunikon lirshëm. Por i pafat këtu. Acarimi i marrdhënieve ndërmjet politikës shqiptare dhe asaj sovjetike, i kthen studentët shqiptare në Atdhe, duke ndërprerë studimet. Lidhja e miqësisë me vlonjatin e shkathët dhe ky një student ekselencë Pavllo Minga, e ndihmoi që të njihet me bashkëshorten e ardhshme.

Kur erdhi në Tiranë, iu nënshtrua studimeve për inxhinjeri elektrike. I çfrytëzonte të gjitha shanset që i ofroheshin, si në studim ashtu edhe në perspektivën e krijimit të familjes së ardhshme. Propozimin që i bëri Pavllo, për t’u njohur me motrën e gruas së tij Klarës, e vuri në zbatim sa të hapësh e të mbyllësh sytë. Shumë praktik dhe me inisiativë, ia thotë hapur shkodranes simpatike Fatbardha Xhabisë, që e donte dhe korrektesa shkonte deri në krijimin e familjes.

Po më parë se të ndodhte fejesa në vitin 1965, Qemal Domit i ofrohet tjetër mundësi studimi. Këtë herë në Republikën Popullore të Kinës, në qytetin Daiçen. Profesioni po për detari. Deti dhe Durrësi! Deti dhe durrsakët! Deti dhe Qemal Domi! Një trinom i përjetësisë. Ky profesionist i detarisë, që kam guxuar ta quaj kirurgu i saj, do të mbetet gjithnjë i palëkundur në dallgëzimin e përjetshëm të asaj që bëri në jetë, të ndihmesës së jashtëzakonshme që dha, duke lënë pas një kujtim mbreslënës dhe të palëkundur.

Edhe këtu ndër të parët. Edhe këtu bie në sy inteligjenca e tij, fryt i punës sistematike, seriozitetit dhe këmbënguljes për të arritur atë që donte dhe atë që kërkohej. Qemal Domi jo vetëm tek shokët e tij shqiptarë, por edhe tek të huajt tërhiqte vëmëndjen. Vetëm kur e dëgjon të folurën e gjuhës kineze, ndjen shkallën e vështirësisë dhe gati të pamundësisë për ta përvetësuar. Por ky Qemal Domi ynë, shkëlqeu edhe këtu. E folura e tij befasoi edhe vetë kinezët. Dhe bëhet ky Qemal Domi përvetësues i katër gjuhëve të huaja: italisht, anglisht, rusisht dhe atë kineze.

I mprehtë, i gatshëm të thithte çdo mësim, e të jepte shenja të një kuadri të veçantë, që do t’i sillte shërbime të çmuara shtetit të tij, vendlindjes së tij. Ishin kuadrot e para të një detarie profesioniste, me njohuri për lëndët e profilit dhe ato shkencore. Studionte shumë dhe komunikonte ngrohtë me shokët dhe miqtë, duke përligjur qëllimin për të cilin ndodhej në Kinë.

Politika shqiptare e kohës, gjithnjë ngjasonte me një det të egërsuar. Dhe me Kinën u krijuan politika të nxehta dhe aspak miqësore. Ngjasoi si në Odesa. Ndërpret studimet dhe i vazhdon ato në Akademinë Detare në Vlorë. Shoku i tij në këtë shkollë Bejdush Çuadari, mbetet me kujtimet më të mira. Përvoja e krijuar në dy studimet e mëparshme jashtë Atdhet, e bëri Qemal Domin të befasoj pedagogët.

Ai erdhi në këtë shkollë, së bashku me studentët shqiptarë të Kinës. Ishin Valter Bedini, Muhamet Bylykbashi, Muhamed Laknori, Viron Sadiraj dhe Muhamet Arkaxhiu. Me një frymë mësoi lëndët e lundrimit dhe astronomisë.
-Unë e shikoja si mbitokësorë Qemal Domin, shpjegon në kujtimet e tij Çuadari. Së bashku me shokët, sollën në Vlorë përvojën e pasur kineze të detarisë. Sjellja e tij, komunikimi, njohuritë e thella dhe ato që vazhdonte të akumulonte, urtësia dhe thjeshtësia, më kanë lënë mbresa që nuk mund të zbehen.

Duke qenë kontigjent i ministrisë të transporteve, vihet në dispozicion të Drejtorisë së Fllotës Tregtare Detare dhe këtu nis rrugëtimi tjetër i Qemal Domi, ai rrugëtim që do t’i jepte të drejtën e një kuadri pikant të detarisë shqiptare dhe veçanërisht në fushën e agjentimit, siç do ta trajtonte gjithnjë Pavllo Minga. Shoqëria e shkollës zëvëndësohet me shoqërinë e punës. Tjetër sheshpamje e ecurisë profesionale dhe tjetër sprovë e përqendrimit drejt suksesit. Caktohet të punojë në anijen “Partizani”, me kapiten të famshmin Haxhi Shehu. Por krejt papritur, i çfaqen probleme me shëndetin. Ulçera në stomak dhe diabeti nuk e linin të qetë gjatë lundrimit. Detyrohet të zbresë në tokë dhe të marrë përsipër detyra më të rëndësishme, ku do ti vishte petkun e arritjeve, fatbardhësisë dhe krenarisë.

Aftësitë e treguara në shkollim, përvetësimi i gjuhëve të huaja, intuita dhe përshtatja me punët e detarisë, i dhanë Qemal Domit, emrin e një kuadri të njohur dhe specialisti konkurues. Në Agjencinë Detare punoi me drejtues të njohur si Sabri Shtraza dhe Jovan Llançari. Sapo krijohet shoqëria e përbashkët e lundrimit shqiptaro – kineze CHAL-SHIP, Qemal Domi thërritet me shpejtësi këtu. CHAL-in e drejtonte burri zotni Qemal Klosi. Karriera e Qemalit ishte në kreshendo, duke veshur tashmë kostumin e një zëri të veçantë dhe të mirëformatuar të specialistit të detarisë shqiptare.

Dashurinë për punën, nuk e ndau nga dashuria për të krijuar familjen, duke dashur së pari bashkëudhëtaren e jetës. Ashtu siç e kishte emrin Fatbardha, fat të bardhë i solli Qemal Domit. Vetëm 24 vjeç ndjeu peshën e përgjegjësisë së krijimit të familjes. Dhe kur iku në Kanton të Kinës në vitin 1976, ishte baba i dy fëmijve Agronit dhe Rudinit. Agroni është i 29 qershorit 1969, Rudini i 5 dhjetorit 1973, për të ardhur tek Pranvera që nisi frymëmarrjen me 10 shkurt 1979. Tre yje, tre florinj që iu bashkëngjitën gjerdanit të artë te jetës së Qemal Domit, duke patur në krah një grua po kaq të artë dhe të bekuar, shkodranen e bukur nga dera e njohur e Xhabijave të Shkodrës. Bardha mbaroi për matematikë fizikë në UT-në e Tiranës dhe tërë jetën e punës e konsumoi në fillim si mësuese, drejtore shkolle dhe në fund inspektore në Drejtorinë Arsimore në Durrës.

Arshi Latifi ishte kolegu i punës së Qemal Domit në Kinë dhe përfaqësuan interesat e vëndit tonë me shumë autoritet dhe aftësi. Pas dy vitesh rikthehet në Atdhe dhe në drejtorinë e Fllotës Detare Tregtare, punon në sektorin e lundrimit. Tashmë kishte krijuar përvojë dhe emri i tij lakohej për të mirë në qarqet e detarisë shqiptare. Në vitin 1986 Agjencia Detare (Adetare) kishte për drejtor Qemal Domin.

24 vite përvojë. 24 vite jetë aktive dhe produktive. 24 vite dhe drejtimi i erdhi si domosdoshmëri e përparimit të punëve, të krijimit të logjikës së një njeriu me vizion, ku objekti i komunikimit nuk ishin vetëm kolegët shqiptarë, por edhe të huajt. Në këto raporte Qemal Domi u bë misionar i vëndit të tij, duke iu çfaqur specialistëve të huaj të lundrimit, si njeri jo vetëm me art komunikimi, por edhe të përgjëgjësisë së lartë të detyrës, duke ofruar në mjaft raste zgjidhje të favorshme.

Në punët e tij, ai çfaqet si lundërtar i detarisë, duke lundruar i qetë në tallazet e ashpra të jetës. Ai diti që këtë det të trazuar, ta kthejë në një bunac ku erërat e kënaqësisë shpirtërore, të lidhura ngushtësisht me ato të punës dhe të familjes, t’i sillnin frytet e dëshiruara. Dhe ia doli. Si në punët e shtetit, ashtu edhe kur e kuptoi që nisma private u bë fakt i kryer. Dhe nxitoi të fitonte kohë. Por asnjëherë nuk u ngut, përkundrazi mbeti i qetë dhe i saktë, për të bërë atë që duhej dhe për ta bërë ashtu siç duhej. Miqësia mbeti pasuria më e madhe që krijoi, duke regjistruar në inventarin e respektit dhe bashkëpunimit të ndërsjelltë, emra të tillë të lartësisë qytetare si Feruz Mataj, Qemal Hate, Arshi Latifi, Jovan Llançari, Sabri Shtraza, Igli Goga etj.

Por kapitull i spikatur i jetës dhe i punëve, ishte dhe mbeti deri sa mbylli sytë, ai që e ndoqi hap pas hapi që në Bashkimin Sovjetik, në Kinë, në Fllotën Tregëtare Detare, në jetën familjare të prindërve dhe të tij Pavllo Minga. Vlonjati i njohur i detarisë, është i brengosur që se ka më në krah Qemal Domin, duke kujtuar kohën aq mbreslënëse kur qendronin së bashku.

Sapo shkeli viti 1991, kohë historike e ndryshimit të sistemit, Qemal Domi krijoi ekuipazhin e agjencisë private ADETARE, me bashkëpunëtorë të përkushtuar, korrektë dhe seriozë si Besim Dika, Lefter Loli, Naun Marga dhe Ilir Gjergji, duke bashkëpunar më dy mjeshtra të inxhinjerisë elektronike Vasil Aleksi dhe Jorgji Kondakçi. Madje Besim Dika, ky anglishtfolës i përkryer, krahas Qemalit do të mbetej figurë qendrore e kësaj agjencie, që rriti konkurencën në kufij të paimagjinuar.

Punë, lodhje, përpjekje, afirmin dhe rikonfirmim, shpejtësi në veprime, maturi dhe befasi në komunikim me të huajt, ADETARE e Qemal Domit, mbeti nga nismat më të realizuara dhe më të dobishme. E kësaj periudhe është botimi Fjalori i Detarisë, në tri gjuhë, si një shans i madh për të cilindo që merret më lundrimet detare dhe përpunimin me shpejtësi të mallrave, por edhe përgatitjes në prefeksion të dokumentacioneve të agjentimit të anijeve. Në këtë fjalor orjentohen kapitenët e anijeve për udhëtime të sigurta, për ruajtjen e transportit të mallrave pa dëmtime në destinacion. Çdo gjuhë e huaj për Qemal Domin, ishte një dritare e hapur komunikuese me të huajt dhe kjo nuk ishte avantazh i pakët.

Familja mbeti pjesa më e veçantë e Qemal Domit. Sakrifikoi shumë për të. Duke patur një Bardhë në krah, ai i kapërceu me sukses pengesat, duke e akomoduar familjen e tij, mu sikur të ishte një anije në molin joshës të jetës. Brenda 11 viteve (1968-1979) familja e Qemal Domit u zgjerua në pesë veta, duke ia ngrohur zemrën, duke ia gëzuar shpirtin pasi të tre fëmijët, e kërkuan dhe sakrifikuan për të mirën, duke u pozicionuar në jetë sikurse ai vetë.
Agroni, djali i madh përfundoi fakultetin e mjekësisë për kirurgji të përgjithshme dhe punon në spitalin e Durrësit.

Bashkshortja e tij Teuta Shima, mbaroi me sukses degën e vështirë të matematik fizikës dhe veçon në mësimdhënie në shkollën e mesme publike “Naim Frashëri”. Arkitekti 26 vjeçar Gleni Domi, mbetet më i privilegjuari pasi është nipi i parë që i çoi në delir Qemal dhe Fatbardha Domin. Edhe Agroni me Teutën, u shtuan me tre fëmijë. Fiona studion tek “Zonja e Këshillit të mirë” për mjekësi. E Klajvi ka zgjedhur informatikën në universitetin “Epoka”.

Djali i dytë Rudin Domi dallon për një trup të bëshëm, por dallon gjithashtu edhe në detyrën e tij. Katedra e Anestesisë në Universitetin Mjekësor të Tiranës, është shkollimi i tij. Specializimi është për anestezi terapi itensive. Shërben në Departamentin e Anestesisë Reaminacionit në Spitalin Amerikan 3. Përpjekjet e tij ngjasojnë me të babait, për të përvetësuar të fshehtat e profesionit, duke merituar titullin e lartë të Profesorit. Bashkshortja Laureta Kasolli, është ekonomiste dhe së bashku me Rudinin po u shërbejnë tre fëmijve. Rueli është student ekselencë dhe studion në një nga universitetet e Minesotës në Amerikë. Është në profesionin e nënës. Laerti dhe Ema janë nxënës në arsimin 9-të vjeçar në shkollën “Viçens Prendushi”.

Na tërheq vëmëndjen një përkim, sigurisht rastësor. Agroni dhe Rudini kanë nga tre fëmijë, ashtu si Qemali me Fatbardhën. Gjithashtu ato kanë dy djem dhe një vajzë, në saktësi krahasimi me Qemal dhe Fatbardha Domin. E kjo i ka gëzuar pa masë, çiftin e njohur të intelektualëve dhe qytetarëve nderues të Durrësit Qemal Domi dhe Fatbardha Xhabija.

Dhe e treta nga fëmijët është Pranvera, që mbeti gjithnjë pranverë për prindërit e saj. Ajo mbaroi për drejtësi në Rumani dhe punon në Durrësin e saj.
Qemal Domi është shembulli i një njeriu, që kërkoi ti japë shoqërisë atë që ai mundi. Mësoi shumë, studio shumë, u aftësua si s’ka më mirë dhe të gjitha këto i shpërndau si investim. Krijoi raporte pune brenda dhe jashtë vëndit. Mbeti i njëjti. Nuk kishte nevojë të shtirej. Ai iu përkushtua një tjetër bindjeje. E dinte mirë që me vullnet dhe punë sistematike arrinte gjithçka, ndonëse brenda vetes dhe në raport me të tjerët ruajti përulësinë dhe modestinë, falë kulturës qytetare. Kjo ia ngriti vlerat dhe i dha ngjyrime tërheqëse, këtij shkrimi bërë enkas për të.

Qemal Domi, dy vite që është larguar nga jeta. Por jam i sigurtë, se do të kalojnë edhe shumë të tjerë, por kujtesa për këtë zotni të nderuar të Durrësit, nuk ka për t’u shuar. Nuk mund të shuhet ajo punë kolosale që la, si trashëgimi arritjesh pse jo edhe krenarie.

Qemal Domi punoi dhe jetoi duke mbetur kirurgu i detarisë, përjetësisht i përkushtuari i saj.

Durrës: 31 mars 2022