Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, u betua sot para Këshillit Bashkiak.

Në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, Sako fitoi përballë dy rivalëve Ardian Muka dhe Luan Hoti me 58% të votave.

Në fjalën e saj para këshilltarëve, Sako e konsideroi privilegj detyrën si qytetare e parë e Durrësit, ndërsa shprehu angazhimin maksimal për t’i shkruar deri në fund punëve të nisura për transformimin e qytetit.

Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, 38 anëtarët e pranishëm kaluan në unanimitet të plotë të 6 pikat e rendit të ditës.

Në hapësirën rezervuar diskutimeve të anëtarëve të Këshillit, këshilltarja Etleva Velçani kërkoi nga kryebashkiakja Sako një përgjigje përfundimtare për fatin e pallatit 12 katësh të firmës “Gora”, banorët e të cilit protestuan një ditë më parë para bashkisë.

Kryetarja Sako premtoi se familjet do të marrin një përgjigje me shkrim lidhur me shqetësimin e tyre, por çështja është ende në fazën e diskutimit dhe nuk ka një vendimmarrje përfundimtare.