Kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana është shprehur pas Kongresit se ndjehet i nderuar, që ishte pjesë e këtij Kongresi dhe Partisë Socialiste si forca më e madhe politike në vend.
Ai është shprehur gjithashtu:
“Të zgjedhur nga shqiptarët për t’i dhënë zgjidhje problemeve të tyre, PS vazhdon të çojë përpara misionin e saj për t’i shërbyer çdo qytetari, pavarësisht vështirësive që koha dikton.
Ne në Shijak e dimë mjaft mirë këtë, sepse sprovën e tërmetit e kaluam me sukses falë mbështetjes së Kryeministrit dhe Qeverisë.
Si kryetar i Bashkisë, do vazhdoj të jap shembullin tim personal të punës, duke menduar dhe vepruar çdo ditë për të ardhmen e Shijakut dhe se çfarë mund të bëjmë më mirë për familjet shijakase.
Ndërveprimi me qytetarët në politikëbërjen tonë të përditshme do të jetë prioritet, sepse ne vazhdojmë të ndjekim vlerat dhe të krijojmë mekanizmat e duhur që zëri i qytetarëve të dëgjohet.”