Një gotë verë mes miqsh që kanë ndarë shumë kauza politike bashkë, por një bashkim mes “njerëzve” të Bashës dhe atyre të Berishës?

Arlind Boshku, nënkryetari i PD-së Durrës, por që pas Kuvendit të datës 11 dhjetor 2021 është shkarkuar nga Komisioni i Rithemelimit është takuar sot me nënkryetarin tjetër të PD-së lokale, Neritan Golja, ky i fundit i shkarkuar nga Basha, sepse iu bashku Komisionit të Rithemelimit.

“Me më të mirin e Rithemelimit!”,- shkruan Boshku në postimin e vet, ndërsa pozon së bashku me Golen.

Në një kohë që të dy grupet e PD-së flasin për bashkim forcash, për një garantuar një opozitë solide përballë Ramës, ndarjet mes tyre janë ende të pranishme, për më tepër që kryetari i komanduar i PD apo kreu i grupit parlamentar Enkeleid Alibeaj, ankimoi në gjykatë vendimin e gjyqtarit që njohu Kuvendin e datës 11 dhjetor.

Por në bazë, aty ku duhet të ndodhë realisht bashkimi i demokratëve, divergjencat mesa duket po hidhen pas krahëve.

A do të jetë ky takim mes Boshkut dhe Goles një afrim i të parit me Komisionin e Rithemelimit, kjo mbetet akoma një pikëpyetje. Kujtojmë se Boshku mori pjesë në të dy Kuvendet e PD-së, atë të datës 11 dhjetor dhe atë të datës 18 dhjetor, por më pas dhe në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit u pozicionua në grupin e Bashës.

PD-ja lokale në Durrës i ka kundërshtuar zgjedhjet që po mbahen gjatë javëve të fundit për kryetarët e grupseksioneve, por mbetet për t’u parë nëse në votimin për kreun e PD Durrës, që do të mbahet brenda dy javësh, do të përfshihen në garë dhe do të marrin pjesë në proces edhe ata që njihen si mbështetës të Bashës në qytetin bregdetar.  

Deri më tani mes mbështetësve të Berishës qarkullojnë si emra të mundshëm si kandidatë për kreun e degës Igli Cara, Ardian Muka dhe Osman Stafa, që e ka vetëshpallur kandidaturën disa ditë më parë.

M.B.