“70% e stafit po pushohet në këtë kohë krize. Jemi me kontrata të përhershme dhe të gjithë jemi familjarë. Të marrin masa të mos na heqin nga puna”.

Ishin këto kërkesat që njëzëri parashtruan sot 70 punonjësit e një call center-i në Durrës.

Ata zhvilluan sot një protestë para ambienteve të kompanisë, pasi rrezikojnë të hidhen në rrugë. Sipas punonjësve, janë 70 familje që mbahen me këtë punë dhe pavarësisht se nga kompania u ishin dhënë garanci një vit më parë për një kontratë disa vjeçare, sot ata rrezikojnë të mbesin të papunë.

Protestuesit e call center-it në lagjen nr.1 të qytetit kërkuan ndërhyrjen e qeverisë për këtë pushim kolektiv nga puna që thyen kontratën e lidhur me punëdhënësin dhe shkel të drejtat e tyre.