Shqipëria po kthehet gjithnjë e më shumë një destinacion të rëndësishëm turistik.
Por teksa mburremi me bukuritë natyrore që vendi ynë ofron, ndotja vijon të mbetet në nivele shqetësuese. 2000 kg mbetje, 5 kontenierë me medikamente të hedhura, dhe qindra thasë kryesisht me plastikë u mblodhën në një aksion vullnetar pastrimi në grykëderdhjen e Lumit Ishëm.
Udhëhequr nga organizata River-Cleanup dhe themeluesi i saj, Thomas de Groote, 200 vullnetarë nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”, gjimnazet e qytetit të Durrësit, përfaqësues të organizatave rinore, natyrëdashës, etj., u bënë bashkë për të ndërgjegjësuar shqiptarët lidhur me këtë çështje të rëndësishme.
“Shtëpinë e vet shqiptari e mban shumë pastër. Thirrja ime është ta dojë ashtu edhe përrojin, lumin, detin, sepse është hapësira jonë, hapësira e fëmijëve tanë”, u shpreh gazetari dhe aktivisti i natyrës, Alfred Lela, i cili i bashkohej për hërë të parë aksioneve të River CleanUp. Ai i bëri thirrje instancave për të vepruar.
“Zgjidhje për një problem të 3 milion shqiptarëve, nuk mund ta japin dot 200 vullnetarë. Ne jemi këtu për të ndërgjegjësuar rininë dhe mbarë qytetarët”, u shprehën disa nga vullnetarët pjesëmarrës.
30 prej tyre vinin nga 9 vende të Europës për një projekt Erasmus + që synon të formojë udhëheqësit e së ardhmes kundër ndotjes nga plastika. Për të është e rëndësishme që “edhe vetë banorët e zonës t’iu bashkohen që ta ruajnë këtë natyrë kaq të bukur”.
Të pranishëm në aksion ishin edhe nënkryetari i Bashkisë Durrës, Renis Mullaj, Kryetari i Komunës së Ishmit, dhe përfaqësues nga Prefektura e Durrësit. Për aksionet e pastrimit të lumit Ishëm, dhe për punën e zhvilluar për edukimin e të rinjve, Bashkia e Durrësit e vlerësoi themeluesin e River-Cleanup, Thomas de Groote me një një certifikatë nderimi.
Organizata River CleanUp dhe simotra e saj në Shqipëri kanë organizuar 37 aksione pastrimi në Shqipëri me një fokus të veçantë në grykëderdhjen e Ishmit, i cili është një ndër tre lumenjtë më të ndotur në Europë. Në grykëderdhje derdhen mbetjet urbane që hidhen në rrjedhën e Ishmit, që përshkon qytetet e Tiranës, Kamzës, Vorës, Fushë-Krujës, Kurbinit, Durrësit, zona më e populluar e vendit.





