Datat 24 dhe 26 maj do të jenë dy ditë aksionesh të mëdha pastrimi në prefekturën e Durrësit, në dy nga zonat e njohura si hot-spote të rrezikshme për shkak të ndotjes mjedisore.

Më datë 24 maj, aksioni i pastrimit do të përqendrohet në zonën e Gjirit të Lalzit, ndërsa më 26 maj tek grykëderdhja e lumit Ishëm.

Prefekti i qarkut, Emiljan Jani ka zhvilluar një takim sot në ambientet e prefekturës me sektorin e Zhvillimit Urban dhe Emergjencat Civile për të koordinuar punën për këtë aksion 2 ditor, i cili zhvillohet në kuadër të planit kombëtar të pastrimit.

Prefekti Jani bën të ditur për “DurrësLajm” se në aksion do të angazhohen strukturat e bashkisë dhe prefekturës, ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes do të mbështesë këtë aksion me mjete të rënda dhe kamionë për transportimin e mbetjeve urbane që do të grumbullohen në terren.

Qëllimi i këtij aksioni është çlirimi i vijës bregdetare nga mbetjet dhe ndotja mjedisore sidomos në këtë periudhë, kur sezoni turistik është hapur zyrtarisht dhe Durrësi ka nisur të vizitohet nga një numër i madh pushuesish dhe turistësh.

Grykëderdhja e lumit Ishëm është zona më e ndotur në qarkun e Durrësit. Për pastrimin e këtij lumi dhe degëve të tij është angazhuar tashmë prej 2 vitesh organizata River Clean Up Albania, e cila ka zhvilluar 37 aksione pastrimi përgjatë shtratit të Ishmit dhe ka larguar tonelata të tëra mbetjesh urbane që grumbullohen aty prej mbetjeve të gjeneruara nga bashkitë  Tiranë, Kamëz, Vorë, Fushë-Krujë, Kurbin dhe Durrës.

Aksioni i tyre më i fundit ishte ai i të shtunës së kaluar,  ku me ndihmën e 200 vullnetarëve, gjimnazistë dhe studentë të UAMD-së u mblodhën 2000 kg mbetje, 5 kontenierë me medikamente të hedhura, dhe qindra thasë kryesisht me plastikë u mblodhën në një aksion vullnetar pastrimi në grykëderdhjen e Lumit Ishëm.