Sidorela Kola, një nga viktimat e tragjedisë së trefishtë në një familje në Fushë Arrëz, është përcjellë sot në banesën e fundit së bashku me nënë Prendushen dhe motrën Emiljana.
Tre anëtarët e familjes Kola humbën jetën nga korenti, dy ditë më parë.
Sidorela ishte studente e Fakultetit të Biznesit në UAMD dhe ditën e sotme në hollin e fakultetit janë mbajtur homazhe dhe janë mbledhur kontribute për këtë familje, që fati i keq i mori njëherazi 3 anëtarë.
Në një postim në rrjete sociale, Fakulteti shkruan se Sidorela ishte “një studente e shkëlqyer që fati deshi mos të jetë më pranë nesh. Të gjithë ne, Dekanati i Fakultetit, çdo lektor, shokë, miq të saj i shprehim ngushëllime familjes fatkeqe”.
“Paqe në botën e përtejshme për ty Sidorela dhe pjesëtarët e familjes tënde!”,- shkruhet më tej në postim.
Postimi i plotë:
Me hidhërim të thellë sot, bëjmë homazhe për studenten tonë të
departamentit të Bankë Financës, Sidorela Kola. Një studente e shkëlqyer që fati deshi mos të jetë më pranë nesh. Të gjithë ne, Dekanati i Fakultetit, çdo lektor, shokë, miq të saj i shprehim ngushëllime familjes fatkeqe.
Jemi pranë tyre në këto ditë të vështira.
Në hollin e Fakultetit të Biznesit studentët dhe stafi akademik po bëjnë homazhe dhe po mbledhin kontribute për familjen.
Paqe në botën e përtejshme për ty Sidorela dhe pjestarët e familjes tënde!






