Në ambientet e Këshillit Bashkiak Durrës u zhvillua paraditen e sotme Forumi Publik i Qendrës së Zhvillimit të Shoqërisë Civile (CSDC) me kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, për firmosjen e Kontratës Sociale.

Qendra në fjalë, pjesë e rrjetit POP – Përballja e Ofertave Politike, parashtroi gjatë këtij forumi 6 çështje prioritare, për të cilat kërkojnë ndihmën e bashkisë për zgjidhjen konkrete të tyre.

“Gjashtë prioritetet e kësaj kontrate janë përzgjedhur përmes një procesi konsultimesh me grupe qytetarësh dhe i përkasin disa fushave kryesore dhe me interes për komunitetin: çështje të rinisë; Biblioteka e qytetit, kanalizimet dhe infrastruktura; transporti publik dhe hapësirat e gjelbërta, si dhe çështje të personave me aftësi të kufizuara”,- tha përfaqësuesja e CSDC, Mirjam Reçi për “DurrësLajm”.

Kryebashkiakja Sako nënvizoi para të pranishmëve në sallë se ky mandat 1-vjeçar në krye të Durrësit nuk mjafton për t’u dhënë zgjidhje përfundimtare 6 problematikave, por do të jetë një fillim i mirë për t’u konkretizuar në të ardhmen.

Pas ngritjes së Këshillit Rinor, strukturë e cila ka funksion këshillimor pranë kryebashkiakes, dy iniciativa të reja për të rinjtë pritet të konkretizohen në muajt dhe vitin në vijim.

Qëllimi im është që ne të realizojmë disa qendra që do të jenë biblioteka të qytetit, por do të jenë dhe qendra të hapura, të cilat të rinjtë mund t’i konsiderojnë si laboratore për takimet e tyre, për të bërë dëgjesa, për ngritjen e çështjeve të ndryshme, por patjetër që mund t’i drejtohen edhe institucioneve.

Ne këtë vit kemi aplikuar për një ngritjen e StartUp-eve të reja në ministrinë përkatëse dhe shpresojmë se do të jemi fitues për të filluar qendrën e parë për të rinjtë.

Besoj që vitin tjetër do kemi një buxhet konkret për sa i takon të rinjve”, nënvizoi Sako.

Gjatë takimit u zhvillua edhe një bashkëbisedim mes të pranishmëve dhe kryebashkiakes Sako lidhur me planet e bashkisë Durrës në raport me prioritetet  e qytetarëve.

M.B.