Përfaqësues të policisë italiane kanë zhvilluar paraditen e sotme në shëtitoren “Taulantia” në Durrës një konsultim me nxënës të shkollës jopublike “Vinçens Prendushi”.
Qëllimi i efektivëve të policisë së vendit fqinjë ishte dhënia e informacionit bazë të miturve për t’u ruajtur nga rreziqet që paraqesin për ta rrjetet sociale, që kanë marrë një përdorim të gjithanshëm vitet e fundit.
“Për ne është i rëndësishëm parandalimi i çdo forme bullizmi dhe diskriminimi online për racën, etninë, orientimin seksual etj. Ne i mësojmë të rinjtë të mos diskriminojnë të tjerët. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Duhet gjithnjë të kesh respekt për të tjerët”,- tha Marko Valerio Cervelini, përfaqësues i policisë italiane në vendin tonë.
Iniciativa e ndërmarrë nga pala italiane ka mundësuar shpëtimin e shumë të miturve dhe adoleshentëve, që ishin kthyer në viktima të bullizmit online.
“Nga viktima të diskriminimit ato janë kthyer në denoncues të këtyre rasteve”,- tha më tej Cervelini.





