244 avokatë të Durrësit iu bashkuan sot protestës së thirrur nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë për të kundërshtuar Hartën e re Gjyqësore, që redukton në mënyrë të ndjeshme numrin e gjykatave në shkallë vendi.

Kreu i Dhomës së Avokatisë Durrës, Lorval Petani, deklaroi se asnjë nga propozimet e bëra nga komuniteti i avokatëve nuk është marrë parasysh. Ndërsa qeveria rrit numrin e investimeve madhore në qytet, nga ana tjetër u heq qytetarëve shumë nga shërbimet.

Por harta e re gjyqësore nuk kundërshtohet vetëm nga Dhoma e Avokatisë, por edhe nga grupet e tjera të interesit.

Nga harta e re gjyqësore, Durrësi humb Gjykatën e Apelit dhe atë Administrative. Largimi i këtyre gjykatave i bashkohet shumë prej shërbimeve të tjera të spostuara tashmë në kryeqytet si ato të Tatimeve, Kadastrës etj. Avokatja Merita Dakovelli ngriti shqetësimin e kohëzgjatjes së gjyqeve, në një kohë kur në vend ishin operative 6 Gjykata Apeli. Nëse numri do të reduktohet vetëm në një gjykatë, sistemi rrezikon të kolapsohet.

Rreth 220 seanca gjyqësore janë pezulluar sot në 3 gjykatat e Durrësit, ndërkohë që bojkoti i avokatëve pritet të vijojë deri të premten. Avokatët paralajmëruan se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, do të përshkallëzojnë protestën.

M.B.