Në ambientet e Këshillit Bashkiak u hodh shorteu publik për të përcaktuar shpërndarjen e apartamenteve për familjet përfituese të cilat do të sistemohen në pallatin nr.1062, pranë Drejtorisë së Policisë Durrës.
Gjatë tërheqjes së goglave për ndarjen e apartamenteve 1+1, 2+1 dhe 3+1, disa nga banorët shprehën pakënaqësitë e tyre për metodologjinë e përdorur për ndarjen e apartamenteve.
Në mungesë të dakordësisë së të gjithë banorëve për ndarjen e apartamenteve aty ku i kanë patur, ndarja u realizua nëpërmjet shorteut, mënyra e të cilit është përcaktuar me vendim të këshillit bashkiak, në respektim të legjislacionit në fuqi për këtë qëllim.
Pjesa më e madhe e banorëve mbetën të kënaqur nga shorti, por të tjerë shprehën pakënaqësinë e tyre, madje dhe refuzuan apartamentin që u përcaktuan goglat.
Pallati nr.1062 ishte ndër pallatet e para të shembura në Durrës, pasi akt-ekspertiza e Institutit të Ndërtimit e nxorri të pabanueshëm për shkak të dëmeve të pësuara nga tërmeti i dy viteve e gjysëm më parë.
Së bashku me pallatin e VIP-ve, ai ishte ndër dy godinat e para kolektive që nisën të rindërtohen në Durrës. Por edhe pse sot u hodh shorti për ndarjen e apartamenteve, godina 8 katëshe ende nuk ka përfunduar plotësisht.





