Banorët e Porto Romanos kanë protestuar pas shpërthimit që ndodhi të shtunën në fabrikën e gazit në Durrës.

Sipas tyre, nuk është hera e parë që në këtë kompani ndodhin incidente të tilla, duke u kthyer në një rrezik serioz për të gjithë banorët e zonës.

Ata kanë kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve ligjzbatuese për zhvendosjen e fabrikës.

“Kemi raste pasur raste që kemi dërguar fëmijët në urgjencë, sepse këtu ka pasur rrjedhje gazi. I bëjmë thirrje shtetit, që të vë dorën në zemër, se jemi në rrezik të madh.”

“Ne kemi ardhur përpara fabrikës këtu. O fabrika, o ne! Le të vijë ministrja e Mjedisit ta shikojë a lejohet ky biznes në qendër të banuar?”

“Nuk jemi kundër bizneseve dhe investimeve, por këto janë katastrofë”.

Ishin disa nga deklaratat e tyre.

Protestës iu bashkuan edhe të vegjlit, të cilët thanë se aty ku luanin ata vinte era gaz.

Ne do të rrijmë mbyllur në shtëpi apo do të lozim?”, tha një nga vogëlushet.

Dje dhjetëra familje të kësaj zone braktisën menjëherë banesat, pas shpërthimeve të bombolave të gazit në këtë kompani.

Shpërthimi u regjistrua në orën 07:30 dhe forcat zjarrfikëse arritën t’i neutralizojnë flakët pa shkaktuar dëme në njerëz.