Bashkia Durrës ka hapur sot dritën jeshile për riforcimin e 9 pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Bëhet fjalë për pallatet me kod GIS: 7330, 5630, 851, 7294, 5541, 60069, 7314, 117, 5638
Tenderi me vlerë rreth 509 milionë lekë të reja do të përdoret për riforcimin e 9 godinave me dëme DS4, të pozicionuara kryesisht në zonën e Plazhit dhe Shkëmbit të Kavajës.
Kompanitë e interesuara kanë afat deri në fund të muajit (30 qershor) për të dorëzuar ofertat për punimet që do të kryhen në këto godina.
Dy vite e gjysëm pas tërmetit të frikshëm të nëntorit, në zonën e Plazhit (një nga më të dëmtuarat nga lëkundja sizmike) ka ende shumë godina të dëmtuara rëndë.
Pas shpalljes së fituesit të tenderit, kompania do të ketë mundësi që brenda 224 ditësh të përmbyllë punimet në 9 pallatet me shkallë dëmi të lartë.
Kjo nënkupton që riforcimi i tyre do të kërkojë rreth 8 muaj kohë dhe ato nuk pritet të përfundojnë para verës së vitit të ardhshëm.
Vitin e kaluar, zv/kryeministri Arben Ahmetaj deklaroi në Kuvend se procesi i rindërtimit do të përmbyllej në shtator të këtij viti. Por premtimi i Ahmetajt është shumë larg realitetit, sidomos përsa i përket Durrësit.
Në qytetin bregdetar ka ende pallate që janë planifikuar të shemben sepse kanë dëmtime mjaft të rënda në strukturë, por 2,5 vite pas tërmetit ato vazhdojnë akoma qëndrojnë në këmbë, ndërsa banorët kanë hyrë në vitin e tretë të jetesës në shtëpi me qira.
Aktualisht në Durrës janë disa pallate DS4 në proces riforcimi si dhe rreth 180 pallate me dëmtime DS1-DS3 që po riparohen.
Deri më tani, nga pallatet e rindërtuara janë dorëzuar vetëm 4 në sitin e Manzës, ndërsa në qytet, asnjë nga apartamentet e dy godinave (pallati i VIP-ve dhe ai pranë Drejtorisë së Policisë) nuk janë dorëzuar ende.
M.B.





