Një ditë pas tragjedisë në Himarë, ku humbi jetën një vogëlushe 7- vjeçare janë shtuar kontrollet e Policisë Kufitare përgjatë bregdetit të Durrësit.
Mjetet e policisë kanë ushtruar kontrolle tek skafet dhe jet skitë, që qarkullojnë në zonën e Currilave.
Ndërkohë, situata në plazhin e madh të Durrësit është e qetë dhe pushuesit shprehen të kënaqur me cilësinë e shërbimit.
Një roje bregdetare tregon për “DurrësLajm” se në vendbazimin e mjeteve lundruese pranë të cilës ai punon, skafet dhe motorët e ujit drejtohen nga vetë personeli i kësaj pike dhe jo nga pushuesit.
Plazhistët nga ana e tyre kërkojnë rend dhe siguri dhe deklarojnë se përgjatë ditëve të qëndrimit të tyre në këtë plazh gjithçka ka shkuar mirë dhe janë të kënaqur me pushimet që po kalojnë në Durrës.
Ngjarja e rëndë e një dite më parë është shoqëruar me rritje të vëmendjes nga ana e operatorëve turistikë që u ofrojnë adhuruesve të sporteve ujore këto mjete lundruese.
Ndryshe nga plazhet e jugut, në detin Adriatik mjetet lundruese qëndrojnë rreth 500 metra larg bregut, në korridore te përcaktuara për lundrim.
Pak ditë më parë, Policia Kufitare e Durrësit sekuestroi një mjet lundrues të tipit “Jet ski” që u denoncua nga qytetarët pasi nën drejtimin e shtetasit me iniciale E.T., kryente manovra të rrezikshme në breg të detit, shumë pranë pushuesve.
I riu u ndëshkua me gjobë për shkak edhe të mungesës së dokumenteve për mjetin lundrues, ndërsa është bllokuar pa afat “Jet ski” në pronësi të tij.
M.B.





