Lihen në burg kapiteni dhe mekaniku i peshkarexhës, të arrestuar dy ditë më parë nga policia e Durrësit.
Kapiteni Flamur Aliu dhe mekaniku Nuri Xheka, kanë dalë sot para Gjykatës së Durrësit për masën e sigurisë.
Megjithëse avokatët mbrojtës të të pandehurve kanë kërkuar një masë më të lehtë sigurie, gjykatësja e çështjes Besjana Garxenaj në përfundim të seancës ka vendosur “Arrest me burg” për dy të pandehurit.
Ata akuzohen për futjen kontrabandë të rreth 80.000 litrave naftë të blerë në Libi, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.
Ndërkohë, në dëshminë e tij, kapiteni Flamur Aliu ka sqaruar se nafta nuk është blerë me qëllim kontrabandën, por sepse rezervat e anijes kishin përfunduar dhe u duhej për t’u kthyer në Shqipëri.





