9 pallate me shkallë dëmi DS4 të rikonstruktuara totalisht, 13 të tjerë në proces dhe 55 banesa kolektive ku pritet që puna të nisë së shpejti.
Ky është bilanci i deritanishëm në bashkinë e Durrësit, përsa i përket procesit të rindërtimit për godinat me shkallë dëmi DS4 nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Në një postim në rrjete sociale, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako nënvizon se krahas 55 pallateve që do të riforcohen, ky proces prek edhe 12 banesa individuale.
Pak ditë më parë, në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për muajin korrik, Sako lexoi listën me koordinatat e 55 pallateve dhe 12 banesave individuale që do të riforcohen.
Postimi i plotë:
Vijon me intensitet puna sipas projekteve përkatëse për rikonstruksionin e pallateve me shkallë dëmi DS4.
Riforcimi i këtyre godinave është edhe pjesa më komplekse e procesit të rindërtimit.
9 pallate me këtë shkallë dëmi janë rikonstruktuar totalisht dhe dhjetra familje janë rikthyer në banesat e tyre që janë më të forta se më parë ndërkohë që vazhdon rehabilitimi i 13 pallateve të tjera.
Shumë shpejt do të nisë puna për përforcimin dhe rikonstruksionin e 55 pallateve me shkallë dëmi DS4 si dhe 12 banesave individuale si në ambientet e brendshme ashtu edhe në ato të jashtme duke garantuar standartet e duhura për shtëpi më të forta dhe më të sigurta se më parë.





