Denis Borisov, rusi i arrestuar në fillim të këtij muaji në vendin tonë, është lënë në burg nga gjykata e Durrësit. 28-vjeçari i shumëkërkuar nga Gjermania për trafik ndërkombëtar droge, do të qëndrojë në burg deri në plotësimin e dokumentacionit me qëllim ekstradimin.
Borisov prej ditësh qëndronte në Durrës dhe Interpol, në bashkëpunim me policinë vendore, pasi mori informacionet nga pala gjermane, bëri arrestimin e tij me qëllim ekstradimin.
28-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi një gjykatë në Kempten në rajonin e Bavarisë kishte caktuar masën e sigurisë arrest në burg në mungesë, për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.
I riu ishte pjesë e një rrjeti të përbërë nga shqiptarë, spanjollë dhe gjermanë që trafikonin kanabis dhe kokainë nga Shqipëria dhe Spanja në drejtim të Gjermanisë, por edhe vendeve të tjera në Europën Qendrore.





