Në 12 javët e zhvilluara të kampionatit, ekipi durrsak i Teutës ka treguar se ka vuajtur dhe është ndëshkuar pikërisht në 30 minutat e fundit të ndeshjeve.
I vetmi përjashtim që mund të bëhet është ndeshja e zhvilluar në Rrogozhinë, të cilën e fitoi në fund.
Statistikat e deritanishme tregojnë për një Teutë të shthurur në minutat e fundit, sepse një numër i konsiderueshëm golash durrsakët i kanë pësuar në 25-30 minutat e fundit.
Nuk janë pak, plot 5 të tillë, që i kanë kushtuar Teutës disa pikë, të cilat e kanë zbritur në renditjen e përgjithshme, ku po lufton për mbijetesë dhe nëse vazhdon kështu, mund të dorëzohet shumë më shpejt seç duhet.
Sjellja në pjesën e fundit të ndeshjes është një defekt që duhet rregulluar me patjetër në rinisje të kampionatit, pasi në të kundërt do të jetë e vështirë.
Blerim Kotobelli dhe Erando Karabeci janë dy lojtarët që kanë luajtur më shumë minuta me Teutën në këto 12 javë të para.
Në futboll, si në çdo sport ekipor, suksesi vjen falë forcës së grupit dhe drejtimit të saktë të tij, por kuptohet që edhe këtu ka individë që bëjnë një lloj dallimi nga të tjerët. Janë ata që në gjuhën e sotme të futbollit quhen liderë, senatorë apo udhëheqës të skuadrës.
Në këtë sens, edhe Teuta ka lojtarët e vet më të rëndësishëm, të paktën sipas asaj që tregojnë statistikat në këto 12 javë të kampionatit, ku blutë nuk janë nën pritshmëritë e tyre në renditje.
Nga formacioni, me të cilin trajneri Bledi Shkembi nisi kur erdhi te Teuta, 6 futbollistë nuk janë “prekur”. Bëhet fjalë për Emiljano Vilën, Blerim Kotobellin, Erando Karabecin, Ledio Beqjan, si dhe dy sulmuesit Rubin Hebaj dhe Lorenco Vila.
Të tria repartet e skuadrës kanë përfaqësuesit e tyre në këtë grup, teksa Kotobelli dhe Karabeci janë “mbretërit” e minutave me nga 990 të tillë. Ata janë aktivizuar titullarë në nga 11 ndeshje deri më tani. Pas tyre vjen Emiljano Vila, me vetëm 30 minuta më pak se kjo dyshe.
Konsiderohen të paprekshëm, por për situatën që ndodhet Teuta, një peshë e madhe për të bërë ndryshimin bie pikërisht mbi ta.