Kapet dhe vihet në pranga një 35-vjeçar, pasi kanosi dhe goditi me sende të forta, në vitin 2021, një shtetas tjetër.
I ndaluari posedonte një armë zjarri pa leje në kohën kur kreu plagosjen.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, mbështetur dhe nga inteligjenca informative për vendndodhjen e një të kërkuari, ndaluan shtetasin G. K., 35 vjeç, banues në Bubq, Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”, “Kanosja” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Në vitin 2021, në një lokal në Fushë-Krujë, 35-vjeçari, për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta një shtetas tjetër. Gjithashtu, nga verifikimet ka rezultuar se ky shtetas, në kohën kur ka kryer plagosjen, posedonte pa leje, një armë zjarri.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.