Burime zyrtare nga policia e Durrësit konfirmojnë për “DurrësLajm” ngjarjen e rëndë që ka ndodhur sot në shkollën “Neim Babameto”, ku është kapur një sasi lënde narkotike.

Në një komunikim telefonik drejtori i Policisë Skendër Hita thotë se ngjarja ka ndodhur gjatë orës së mësimit dhe sasi e kapur është kannabis sativa.

Drejtori Hita falenderon “DurrësLajm” për informacionin e përcjellë, sepse ishte pikërisht njoftimi i dhënë nga media jonë që angazhoi policinë për të dërguar patrullën në shkollën 9-vjeçare dhe për të zbardhur ngjarjen dhe personat e përfshirë në të.

Për shkak të rrethanave të ngjarjes që e bëjnë atë delikate prej moshës së dy minorenëve që u kapën duke kaluar qesen me drogë dorë më dorë gjatë orës së mësimit, policia dhe drejtoria e shkollës tregohet hermetike në dhënien e detajeve për këtë rast.

Madje gjatë komunikimeve me drejtorin e shkollës “Neim Babameto”, është përjashtuar si mundësi kapja në flagrancë e lëndës narkotike.