Për të tetin vit me radhë, nesër në Durrës do të zhvillohet festivali i kitares klasike, “Guitar Festival Vll”.
Në këtë konkurs do të performojnë 35 artistë nga mosha 6 vjeç deri në moshën 30 vjeç pjesë nga periudhat klasike, romantike, baroke, kontemporane të kompozitorëve Antonio Vivaldi, Francisco Tárrega, Astor Piazzolla, Heitor Villa-Lobos, Devise etj..
Pjesë e konkursit do të jenë edhe 4 garues me aftësi të kufizuar, njëri prej të cilëve 24 vjeç, të cilët do të ngjiten në skenën e black boxe pranë shkollës “Jan Kukuzeli”, për të performuar me bashkëmoshatarët e tyre si artistë të vërtetë.
Ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë për shkak të pandemisë së Covid-19 festivali zhvillohet pa publik, duke zbatuar protokollin e ministrisë së Shëndetësisë.
Të gjykuar nga juria profesioniste, konkurentët do të vlerësohen me çmimin e Internetit, çmimin e Studentëve, çmimi i parë Junior, çmimi i parë për grupmoshat 12-14 vjeç, çmimin special të zgjedhur nga vetë artistët konkurues, çmimin e parë kategoria B si dhe çmimin e madh.
Festivali do të përshëndetet nga kuarteti saksofonistëve të përgatitur nga prof. Pirro Sota. Gjithashtu, klasa e kantos do të performojë këngën “Vajta kalova gjithë Kalabrinë”, e realizuar nga prof. Arjola Sulejmani, e shoqëruar në piano nga Mirela Xhaferri.
“Guitar Festival Vll” është ideuar nga profesori Dashamir Mehmeti dhe udhëhiqet nga drejtori i shkollës artistike, Orges Mema. Festivali do të gërshetohet me duo-trio dhe poezi nga autorë të ndryshëm, të kuruara nga shkrimtari Ardi Omeri.