Teuta u ndal në një barazim në ndeshjen e parë të Kupës me Erzenin në “Niko Dovana”. Llogaritë e kualifikimit janë të hapura dhe në ndeshjet e kthimit do të vendoset gjithçka. Ndërkohë tani durrsakët po përgatiten për takimin me Egnatian, e vlefshme për kampionat.Në prag të kësaj sfide ka folur Ledio Beqja, mesfushori i Teutës, që ishte protagonist me goditjen që solli edhe autogolin e Kapllanit.
Jeni i kënaqur me rezultatin e ndeshjes së parë me Erzenin?
Nuk është rezultat aq i mirë, sepse ndeshjet e Kupës janë specifike dhe kërkojnë të jesh sa më i saktë dhe mos pësosh gol. Por gjithsesi mendoj që kemi edhe një ndeshje kthimi, të cilën duhet ta interpretojmë më mirë. Ekipi reagoi, rastet tona ishin më të pastra se të kundërshtarit, duhet të kishim shënuar më shumë. Ekipi krijoi volum dhe raste, por po përsëritet e njëjta tablo. Ashtu si shkoi rezultati mendoj se duhet të jemi të kënaqur.
A është Kupa një objektiv primar për Teutën?
Kupa është një objektiv, sepse është rruga më shkurtër për të shkuar në Europë. E kemi këtë objektiv, sepse nga kampionati e shohim shumë të vështirë.
Ju ishit protagonist te goli ndaj Erzenit, cila ishte gjëja e parë që ju erdhi në mendje?
Realisht nuk mendova asgjë të veçantë. Është një gëzim për mua që jam në gjendje të ndihmoj ekipin dhe shpresoj se do ta ndihmoj për të fituar sa më shumë ndeshje të jetë e mundur, dhe është bukur që mund ta bëj këtë, veçanërisht në një ndeshje derbi. Ishte si një çlirim i madh për mua.
Të dielën përballë keni Egnatian, si e shihni?
Ndeshja me Egnatian nuk do të jetë e lehtë, pasi e dimë që është një ekip i fortë dhe i vështirë të kapërcehet nga të gjithë ekipet e Superiores. Mendojmë që duhet të jemi të durueshëm, pasi është një ekip që mbrohet mirë. Mendoj se do të na duhet një strategji e mirë për të kaluar këtë ekip dhe duam të shfrytëzojmë momentin e mirë që kemi. Shpresoj te një fitore.
Në pesë ndeshjet e fundit keni pësuar vetëm një humbje, sa shanse ka që të vazhdojë kjo ecuri disi pozitive?
Mendoj se ka ndryshuar shumë, sepse Edi Martini e njeh mirë ambientin. Ka futur një frymë të re. Ne ja kemi dalë këto ndeshje dhe shpresojmë të vazhdojmë këtë ecuri, sepse jemi në pozita shumë të vështira.