Pas rastit skandaloz të transmetuar mbrëmë në emisionin “Fiks Fare”, ku një baba 27-vjeçar së bashku me bashkëshorten e tij, nxorën në shitje fëmijën e gjashtë edhe pse ai nuk ka ardhur akoma në jetë, policia e Durrësit arrestoi babanë dhe nisi procedimin penal ndaj nënës shtatzënë.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të DVP Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin Emre Nuredinin, 27 vjeç, banues në Durrës, si dhe referuan materialet në Prokurori, për shtetasen Xh. H., 25 vjeçe, për të cilën ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Mbrëmjen e djeshme, këta dy shtetas janë shfaqur në një video të transmetuar gjatë emisionit investigativ “Fiks Fare”, duke biseduar me një shtetas tjetër (i infiltruar nga stafi i këtij emisioni), për të shitur foshnjën që mbante në bark bashkëshortja shtatzënë (shtetasja Xh. H.), kundrejt shumës 5000 euro.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, mbetur në tentativë, dhe vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Policia e Durrësit falënderon mediat që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton që të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të rasteve të paligjshmërive që ata ndeshin gjatë punës së tyre”, njofton policia e Durrësit.

NGJARJA

Ngjarja tragjike është denoncuar mbrëmjen e së hënës nga gazetarët e emisionit “Fiks fare” të cilët pasi kanë mësuar se Emre Nuredini, kërkonte të shiste fëmijën që bashkëshortja e tij mbante, kanë kontaktuar menjëherë me të.

Fiksi ka  realizuar bisedat me bashkëshortët dhe denoncuar skandalin e radhës me shitjen e fëmijëve.  Emre Nuredini, është 27 vjeç me origjinë nga Elbasani.

Pas martesës ai ka qëndruar disa vite në Tiranë, ku edhe është dënuar me burg për vepra penale të ndryshme.

Aktualisht ai sëbashku me bashkëshorten e tij Rexhina Nuredini banon në Shkozet Durrës.

Familja Nuredini kanë pesë fëmijë dhe presin fëmijën e gjashtë të cilin e kanë nxjerr në shitje.

Në takimin e parë me gazetarët e “Fiks Fare “ Emre dhe Rexhina janë takuar  në një lokal në hyrje të Durrësit.

Gjatë bisedës Emre Nuredini shprehet se “ kam gruan 5 muajshe shtatëzën, por akoma nuk e dimë gjininë e fëmijës”.

Madje sipas tij ai ishte nisur ditën që takoi gazetarët për të bërë edhe Eko-n për të mësuar gjininë e fëmijës.  

Por edhe pse nuk ka asnjë informacion mbi gjendjen dhe gjininë e fëmijës në barkun e nënës, ata janë të gatshëm ta shesin.