4 anëtarë të një familjeje në Durrës rrezikojnë të mbeten të pastrehë, sepse tokës ku ndodhet shtëpia e tyre i ka dalë pronari.
“Shtëpinë e kemi ndërtuar në vitin ‘91, ka qenë pa pronar. Pas gati 20 vjetësh vjen pronari dhe thotë se është toka e tij”, tregon kryefamiljarja Kozeta Liço.
Ky pronar, bashkë me forca të shumta policie dhe përmbaruesin, “mësynë” pak ditë më parë në lagjen nr.13 për t’i nxjerrë nga shtëpia, për të cilën familja Liço ka dorëzuar vetëdeklarimin për legalizim që 17 vite më parë.
Kozeta na tregon se “që në vitin 2006, kur nxorri urdhër qeveria për të legalizuar objektet pa leje, ne e hodhëm për legalizim. Pronari që pretendon se ka tokën, shkoi atje dhe na e prishi. Prandaj ne kemi kaq vjet nëpër dyer e hipotekës, që duam të legalizojmë shtëpinë.”
Ndërsa kishin kaluar 9 vite pritje, hipoteka “u zgjua” kur familja nisi procesin gjyqësor me pronarin e tokës.
“Gjyqi ka filluar në vitin 2015. Unë e kam hedhur në legalizim që në 2006 dhe gjatë kësaj kohe legalizimi duhej të ishte bërë”, shton më tej kryefamiljarja.
Sikur të mos mjaftonte kjo, të mërkurën familja u gjet në një situatë të pazakontë, me kryefamiljarin që u shoqërua nga policia, sepse zyra e përmbarimit u kërkoi të largoheshin nga shtëpia.
E gjithë kjo, për avokaten Flutura Kona është e jashtëligjshme.
Arsyet përse, ajo i shpjegon për “DurrësLajm”, ndërsa ngre disa pikëpyetje, të cilat i gjeni të detajuara në materialin e përgatitur për ju më poshtë.
K.Gj.





