Stafi drejtues i Festivalit të 59-të të Këngës në RTSH realizoi ditën e djeshme një takim në mjediset e RTSH-së ku ishin të ftuar, artistët pjesëmarrës, autorët e këngëve të tyre dhe gazetarët e kulturës.
Drejtori i Festivalit, Martin Leka, prezantoi stafin e këtij edicioni, i cili do të ketë si regjizor Pali Kuken , skenarist gazetarin Blendi Salaj, i cili po ashtu do të bashkëdrejtojë spektaklin me aktoren dhe moderatoren Jonida Vokshi.
Në takim gjithashtu u prezantua platforma e Festivalit të 59-të, i cili do të mbahet këtë vit në kushte të veçanta, për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, në mjedis të hapur, pranë sheshit “Italia” në kryeqytet.
Këngëtarët do të kenë mundësi të përcjellin këngën e tyre artistikisht, nëpërmjet performancave që do të lejojnë jo më shumë se 7 persona në skenë, përfshirë interpretuesin, duke respektuar protokollin e masave anti-Covid, të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë. Festivali do të mbahet midis datave 17-26 dhjetor, në varësi të kushteve të diktuara nga pandemia dhe moti.