Sot paradite në portin e Durrësit mbërriti veliera “Sea Cloud” me 53 turistë të huaj në bord, pjesa më e madhe e të cilëve nga SHBA, si dhe nga Australia, Suedia, Italia, Kanadaja dhe Gjermania.

Anija turistike u ankorua rreth orës 8.00 në kalatën 5 të portit më të madh të vendit.

Shumë prej udhëtarëve me të mbërritur në port u nisën drejt Krujës dhe Tiranës, ndërsa të tjerët do të vizitojnë qendrat historike dhe arkeologjike të Durrësit.

Nga të dhënat e agjencisë së lundrimit “Intermed Shiping” mësohet se veliera që po kryen një udhëtim turistik në Mesdhe është nisur natën e kaluar nga Kotorri, ndërsa sot në mbrëmje do të vijojë lundrimin drejt Porto Palermos (Sarandë).

Veliera “Sea Cloud” me një personel prej 58 vetësh ka një gjatësi 110 metra dhe është e regjistruar në portin e La Valetas.

Ajo e viziton Durrësin që prej 10 vitesh. Vetëm gjatë kësaj vere ajo do të ankorohet në portin e Durrësit edhe 6 herë të tjera.