I zgjedhur me votat unanime të 38 klubeve rotariane në Shqipëri dhe Kosovë, Butrint Batalli është guvernatori i parë i Distriktit 2485.

43-vjeçari nga Kosova, i cili anëtarësimin e parë në një klub rotarian e ka pasur në qytetin e tij të lindjes Gjakovë ka një angazhim shumëvjeçar në kauzat humanitare dhe filantropike, në shërbim të komuniteteve në nevojë.

Në intervistën e tij të parë, fill pas zgjedhjes si guvernator i distriktit, Batalli thotë për “DurrësLajm” se tashmë që “kalanë” e ngritëm, prioriteti kryesor mbetet kthimi i Distriktit 2485 në një nga distriktet më kontributdhënëse brenda Rotary International.

“Po festojmë sot dy ngjarje monumentale, të parën përmbushjen me sukses të një kapitulli në mënyrë fantastike, ndërtimin e një kalaje dhe të dytën, rijetësimin e një kapitulli të ri që do të jetë jetësimi, gjallërimi, mbushja me aktivitet e Distriktit të ri 2485 Shqipëri – Kosovë.

Kjo nismë do të ketë sfidat e veta, mirëpo, pasiqë ne udhëhiqemi nga idealet dhe parimet rotariane dhe në të njëjtën kohë, duke parë që gjithë kjo ka ardhur falë angazhimit, kontributit të përbashkët dhe koordinimit, transparencës dhe bashkëpunimit mes të gjitha klubeve rotariane atëherë besoj se do të jetë një sfidë e këndshme dhe e bukur për ne.

Me të gjitha strukturat tona do ta bëjmë distriktin tonë një prej distrikteve më kontributdhënëse dhe më kuptimplote në familjen e madhe rotariane”,- tha ndër të tjera Batalli.

Po cilat do të jenë sfidat e para të këtij viti të parë të jetës së distriktit 2485, pse bashkimi i klubeve rotariane në Shqipëri dhe Kosovë nënkupton më shumë punë të mira dhe më shumë fonde në dispozicion të komuniteteve në nevojë, cili është roli i familjes së guvernatorit Batalli në zgjedhjen e tij në krye të rotarianëve shqipfolës?  Përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve mund t’i mësoni në intervistën e mëposhtme.

M.B.