Një ëndërr që vijonte prej më shumë se dy dekadash u konkretizua në fundjavë. Rotarianët bënë të mundur atë që politika shqiptare në të dy anët e kufijve nuk e ka realizuar ende.

Shqipëria dhe Kosova kanë tashmë Distriktin e tyre të përbashkët, i cili do të njihet me emrin Distrikti 24 85.

Në konferencën e përbashkët të 38 klubeve rotariane, presidenti i Klubit Rotarian Durrës për vitin 2022-2023, Bujar Çepeli dhe shumë nga pjesëmarrësit e konsideruan një moment historik bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës në një distrikt.  

“Shqipëria dhe Kosova janë një. Ky është kurorëzimi me sukses i përpjekjeve dhe sakrificave shumëvjeçare të klubeve tona dhe kthimit në realitet të një ëndrre të guximshme deri më sot”,- tha Çepeli.

“Çdo bashkim neve na sjell lumturi dhe entuziazëm, na bën të ndihemi më të fortë. Ne e dimë që sa më të mëdhenj që të jemi, jemi dhe treg më i mirë”,- tha Ardian Hoxha, një nga rotarianët më aktivë të Klubit të Prishtinës.

“Ne e kemi quajtur vazhdimisht konferenca mbarëkombëtare, sepse për herë të parë kemi krijuar ëndrrën shqiptare që është bashkimi”,– deklaroi Skënder Garori, trajnues në distriktin 2485 dhe anëtar i Klubit Rotarian Durrës .

Punimet e konferencës së distriktit u përshëndetën edhe nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

“E vlerësoj shumë rolin dhe kontributin e kësaj organizate, në shërbim të komunitetit dhe shoqërive tona, si një organizatë pararojë në promovimin e paqes”,- thotë ndër të tjera presidenti Begaj në letrën e tij.

Radu Pospescu u cilësua njeriu i hekurt që mundësoi themelimin e distriktit, që deri një vit më parë konsiderohej thuajse i pamundur. Në një prononcim për “DurrësLajm”, përfaqësuesi i i Presidentit të Rotary Ndërkombëtar për Shqipërinë dhe Kosovën vlerësoi maksimalisht punën e bërë gjatë këtyre muajve në klubet rotariane të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Askush nuk besonte më parë se nga 460 rotarianë në të dy vendet do të arrinim shifrën 1100 rotarianë në harkun kohor të 6 muajve.  Vendosmëria e rotarianëve në këtë distrikt ishte për t’u përgëzuar. Ata kanë bërë një punë fantastike, duke rritur numrat dhe duke  ftuar në rradhët e klubeve të tyre anëtarë të rinj”, – tha Popescu.

Ndërsa për Murat Çelik, ish-guvernator dhe njohës mjaft i mirë i klubeve rotariane në dy trevat shqipfolëse,  themelimi i distriktit të përbashkët  u fokusua shumë edhe tek krijimi i lidershipit të nevojshëm për të çuar përpara projektet rotariane.

“Rotarianët kanë nevojë për lider, prandaj ne duhet të kishim liderat, që e njihnin mirë këtë zonë, Shqipërinë dhe Kosovën. Duhet të nisnim punën për të përgatitur liderat dhe pasi kjo u realizua gjithçka ishte shumë më e lehtë në vazhdim”.- tha Çelik.

Dyfishimi i numrit të anëtarësisë ka afruar pranë klubeve rotariane shumë anëtare femra, shumë prej të cilave kanë një rol mjaft vendimtar në marrjen e vendimeve kolegjiale dhe çuarjen përpara të projekteve lokale apo rajonale.

Ka qenë presidenti i mëparshëm i Rotary International, Shekhar Meta, i cili punoi fort për barazinë gjinore dhe falë këtyre përpjekjeve u bë i mundur që numri i grave të rritej në mënyrë eksponenciale”,-  tha Ela Golemi, Kryetarja e Komitetit të Fondacionit Rotarian.

Krahas distriktit të përbashkët, rotarianët në Shqipëri dhe Kosovë kanë tashmë guvernatorin e tyre të parë. Me votat unanime të të gjitha klubeve pjesëmarrëse, guvernatori i ri u zgjodh Butrint Batalli.

Konferenca e distriktit 2485 ishte e para e këtij lloji, e organizuar në Durrës dhe vlen të theksohet përkushtimi maksimal i të gjithë anëtarëve të klubit rotarian të qytetit.

M.B.