Viti 2023 duket se do të jetë më i miri përsa i përket të ardhurave të bashkisë Durrës.

Kjo u deklarua në mbledhjen e Këshillit Bashkiak nga drejtori i Taksave dhe Tarifave Vendore Luan Dajko, i cili e cilësoi vitin 2023, si më triumfatorin, pasi janë realizuar të ardhurat që në 6 mujorin e parë të vitit.

I pyetur nga kryetari i grupit të këshilltarëve të koalicionit “Bashkë fitojmë”, Dritan Burgia mbi diferencën e madhe në vjeljen e të ardhurave në vitet e mëparshme, me vitin aktual, Dajko mohoi që rritja e të ardhurave ka ardhur nga rritja e taksave dhe tarifave, por nga rritja e eficencës në vjeljen e tyre.

“Ky është viti i parë, që realizojmë në muajin qershor (edhe duke shtyrë afatin nga 20 prill në 31 maj) 50% të të ardhurave, duke e rritur 12% buxhetin e bashkisë. Si është rritur buxheti? Buxheti i bashkisë nuk është rritur duke rritur taksat dhe tarifat, përveç rasteve kur kjo kërkohet nga Tatimet, sepse biznese të caktuara kalojnë në biznes i madh.

Tarifat shkojnë në shërbim të biznesit, sepse ndriçimi shkon për ndriçim, pastrimi shkon për pastrim, gjelbërimi shkon për gjelbërim.

Rritja e të ardhurave vjen nga rritja e eficencës, Bashkia e Durrësit është bashkia që ka tarifat më të ulta në të gjithë Shqipërinë. Jemi munduar të rrisim gamën e atyre që duhet të paguajnë, jo të rrisim tarifat.

Ky është viti më triumfator, që realizojmë të ardhurat në gjysmën e 6-mujorit. Jemi aq mirë, sa nuk kemi qenë kurrë”,– tha ndër të tjera Dajko.