Finalizohet operacioni policor i koduar “Deluzion”, për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së 32-vjeçares Luljeta Preza, e cila u gjet e pajetë poshtë urës së Dajlanit, paraditen e djeshme.
Identifikohen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar: Aldo Brahimi, Ylli Grabovari, të cilët akuzohen se vranë me mjet prerës (thikë), 32-vjeçaren, pas një konflikti për motive të dobëta me të, në vendin ku u gjet trupi i pajetë.
Procedohen penalisht edhe 3 shtetase që kanë qenë prezente gjatë ngjarjes, për moskallëzim të krimit.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 32-vjeçarja, 2 autorët e vrasjes dhe 3 shtetaset e proceduara, gjatë ngjarjes së ndodhur poshtë urës së Dajlanit, kanë qenë nën efektin e lëndëve narkotike.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, kanë vijuar veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e rrethanave të humbjes së jetës së shtetases Luljeta Preza, 32 vjeçe, trupi i së cilës u gjet poshtë urës së Dajlanit, ditën e djeshme, rreth orës 10:35.
Në vijim të veprimeve hetimore, u vunë në pranga shtetasit Aldo Brahimi, 22 vjeç, banues në Lushnjë dhe Ylli Grabovari, 45 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
SI NDODHI NGJARJA
Nga hetimet e thelluara të kryera menjëherë pas ngjarjes, rezultoi se rreth orës 01:00 të datës 02.08.2023, poshtë urës së Dajlanit, Durrës, 32-vjeçarja është konfliktuar me shtetasit Aldo Brahimi dhe Ylli Grabovari, për motive të dobëta (pasi kanë konsumuar lëndë narkotike kokainë, së bashku me shtetaset B. S., M. M. dhe me një 15-vjeçare). Gjatë konfliktit, shtetasit Brahimi dhe Grabovari kanë goditur me mjet prerës (thikë) shtetasen Luljeta Preza, e cila si pasojë ka humbur jetën në vendin ku iu gjet trupi.
Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset B. S., 28 vjeçe, M. M., 26 vjeçe dhe për 15-vjeçaren, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi kanë qenë prezente gjatë ngjarjes, por asnjëra nuk ka kallëzuar në Polici.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.





