2 të rinj janë arrestuar në Golem, Kavajë.
Ata janë filmuar teksa kanë tentuar të hapin një automjet të parkuar me qëllim vjedhjen.
Policia e qarkut njofton, se E. M., 36 vjeç dhe E. M., 19 vjeç, të dy banues në Kavajë janë vënë në pranga, ndërsa ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. V., minoren, i cili dyshohet për bashkëpunim.
Njoftimi i plotë:
Golem, Kavajë/Reagim i menjëhershëm i Policisë, ndaj kallëzimeve të qytetarëve për raste vjedhjesh.
Tentuan të vidhnin një automjet, ndërhyrja e menjëhershme e Policisë bën të mundur arrestimin në flagrancë të 2 shtetasve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në Golem, disa shtetas po tentonin të vidhnin një automjet, kanë organizuar punën për kapjen e tyre.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëheshme, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë kapën dhe arrestuan në flagrancë autorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit E. M., 36 vjeç dhe E. M., 19 vjeç, të dy banues në Kavajë.
Gjithashtu, mbi dyshime për bashkëpunim me 2 shtetasit e arrestuar, për këtë tentativë vjedhjeje, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. V., minoren, banues në Kavajë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.





